E Diel, 1 Nëntor 2026

Parandalimi i ngjarjeve kriminale, masat e policisë për sezonin turistik



Me afrimin e sezonit turistik, policia e Tiranës publikon planin e masave që do të marrë për të parandaluar ngjarjet kriminale, duke siguruar rendin dhe qetësinë në rrugë, në plazhe e në zona të tjera turistike, për t’u siguruar pushuesve kushtet dhe qetësinë e nevojshme gjatë këtyre muajve. Sipas burimeve zyrtare, vendi ku përqendrohet numri më i madh i pushuesve dhe ku vërehet një rritje e dukshme e numrit të popullsisë është zona e bregdetit të Kavajës. Kështu, gjatë tri muajve të verës, vërehet një fluks i madh i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që vijnë nëpërmjet aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas apo pikave të tjera kufitare, për të kaluar pushimet në bregdet dhe në zona të tjera turistike të Qarkut të Tiranës. Gjithashtu, vërehet një shtim i numrit të automjeteve në qarkullim dhe dendësi të trafikut. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, komisariatet vartëse të saj, për periudhën nga 1 qershori deri më 30 shtator do të zbatojnë masat e përcaktuara me qëllim krijimin e kushteve sa më të mira dhe të favorshme për pushuesit.

Qëllimi

Nisur nga këto fakte, me qëllim për të krijuar kushte normale pushimi për shtetasit shqiptarë dhe turistët që do të frekuentojnë plazhin në bregdetin e Kavajës, si në Golem, Spille apo zonat turistike të Qarkut të Tiranës, për sezonin turistik veror të vitit 2009 janë marrë disa masa. Këto bëhen me qëllim që të parandalohet veprimtaria kriminale dhe rritja e sigurisë në vendet e pushimit, parandalimi i aksidenteve automobilistike dhe rritja e sigurisë në rrugë, rritja e cilësisë së shërbimit policor gjatë kontrollit të territorit në Qarkun e Tiranës, krijimi i kushteve normale dhe të garancisë për rend dhe siguri, ardhjes në ndihmë të komunitetit dhe mbajtjes nën kontroll të personave me precedentë policore dhe kapjen e personave të kërkuar nga policia.

Masat

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë është hartuar plani i masave “Për parandalimin e ngjarjeve kriminale, sigurimin e rendit dhe qetësisë, lëvizjen dhe qarkullimin normal të mjeteve dhe këmbësorëve në rrugë, në plazhe e në zona të tjera turistike, gjatë sezonit veror 1 qershor-30 shtator 2009, i cili u është përcjellë dhe është vënë në zbatim nga komisariatet e policisë nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6, rrugore tiranë dhe Komisariati i Policisë Kavajë.

Nisur nga fluksi i madh i pushuesve, ka edhe më shumë keqbërës në këto zona. Nga sektorët dhe komisariatet e kësaj drejtorie janë marrë masa për të parandaluar e goditur në kohë veprimtari kriminale, në vende turistike, hotele, bare, restorante etj. Punonjësit e policisë në zona për këtë qëllim kanë marrë informacione të mjaftueshme mbi situatën e rendit dhe sigurisë publike në zonat që mbulojnë, ku takimet dhe informacionet janë shpejtuar në drejtim të rritjes së sigurisë në hotele, bare, e restorante. Duke pasur parasysh që do të rritet edhe numri i automjeteve në akset rrugore shqiptare, do të shtohet patrullimi në akset më të “rrahura” nga ana e Policisë Rrugore. Kështu janë marrë masa për mbulimin e akseve rrugore: Kamëz-Tiranë, Rinas-Tiranë, Tiranë-Ndroq-Plepa, Tirane-Vorë-Durrës, Tiranë-Kërrabë, Tiranë-Dajt dhe në akset rrugore të rrethit të Kavajës, me shërbime të Policisë Rrugore dhe ato të Policisë së Rendit, gjatë ditëve të javës dhe sidomos në ditët e shtuna dhe të diela, duke kryer dhe shërbime suplementare policie. Për rreth tre muaj, Policia e Qarkut të Tiranës do të kujdeset për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për t’u krijuar qetësinë e nevojshme të gjithë pushuesve gjatë gjithë sezonit veror.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›