Vlorë, AULEDA, 80 mijë euro për fermerët
Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal (AULEDA) me mbështetjen e OXFAM GB, për të stimuluar fermerët në rrethin e Vlorës, po financon një projekt me vlerë 80 mijë euro. Arjana Bubeqi, drejtoreshë ekzekutive e kësaj agjencie, tha dje për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se përmes këtij projekti, synohet mbështetja e fermerëve për të dalë cilësisht dhe me produkte të sigurta në treg. Ajo shprehet se në bashkëpunim me specialistë të Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe të Qendrës së Transferimit të Teknologjive, ofrohet asistenca e nevojshme teknike për fermerët e disa zonave, ndërkohë që është në fazën përfundimtare, procesi i ndarjes së vaksinave për sëmundjet zanore (enderotoksemia, agalaksia, fashioloza), tek bagëtitë e imta dhe gjedhët. Krahas kësaj, brenda pak javësh do të nisë edhe shpërndarja e rreth 60 mijë fidanëve perimorë me proces inkubacioni. Bubeqi sqaron se nga ky projekt deri në fund të muajit prill do të përfitojnë rreth 1000 fermerë, të fshatrave të komunave Qendër, Brataj, Shushicë, Horë, Vranisht. Në harkun e dy vjetëve të fundit, ky është projekti i 5-të që aplikon AULEDA, në ndihmë të fermerëve, ndërkohë që krahas kësaj, ka zbatuar edhe 15 të tjerë për zhvillimin e turizmit etj. Pjesë e tyre ka qenë ndërtimi i strukturave turistike “bed&breakfast”(B&B), në disa fshatra të rrethit të Vlorës, si në Vranisht, aplikimi me sukses, i përdorimit të ushqimit të balancuar tek gjedhët, në dy ferma eksperimentale, gjë që u shoqërua me një rritje mesatare prej 8-10 litra qumësht në 24 orë, organizimi i panaireve të ndryshme lokale të bujqësisë e blegtorisë, pjesëmarrja në panaire rajonale, në Itali, me prodhime tipike vendase të blegtorisë etj.
Nafta, çmimi ruan stabilitet prej dy muajsh
Tregtimi i karburanteve prej më se dy muajsh ka krijuar stabilitet për sa u përket çmimeve të shitjes. Nga ndryshimi i përditshëm që i ndodhte çmimit të naftës, tashmë ai ka një vijueshmëri prej më tepër se dy muaj me radhë. Që nga koha kur çmimi i naftës shënoi kulmin në vendin tonë në 170 lekë/litër, tani ai ka zbritur deri në 70 lekë dhe po e ruan këtë çmimin me prej disa javësh. Në kryeqytet çmimet mesatare të karburanteve vazhdojnë të jenë të pandryshuara që prej nëntë javësh në të njëjtat kuota: 1 litër naftë 100 lekë, 1 litër benzinë dhe 1 litër Euro Diezel nga 105 lekë, ndërsa në tregjet ndërkombëtare çmimi i një fuçie nafte vazhdon të jetë i ulët. Ulja e fundit e çmimeve të karburanteve me 5 lekë për litër këtë vit është bërë me 12 janar, ashtu si dhe në fundin e vitit të kaluar po me 5 lekë për litër. Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare çmimi i një fuçie nafte vazhdon të jetë në kuota të ulëta dhe dje (16 mars), një fuçi nafte u shit 44 dollarë, nga 46 dollarë për fuçi që shitej në fillim të vitit.