E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Malaj: Nuk më mundi Berisha, nuk do ta bëjë Rama

VLORË- Kandidati i pavarur Arben Malaj çeli pasditen e sotme fushatën elektorale në pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë. Gjatë fjalës së tij, Malaj tha duhet të mbarojë koha e kryetarëve të partive, të kryetarëve të Bashkive dhe Komunave që e mbajnë postin si një karrige të përjetshme.

“Ata që janë suksesshëm të bëjnë karrierë. Ata që janë të dështuar të mos na ndotin qytetin tonë. Karriera ime politike nisi nga kjo sallë disa e braktisën nga frika po ne jemi akoma socialistë të Vlorës. Jo vetëm e krijuam PS-në në Vlorë, por konkurruam dhe në korrik të ‘ 92 bëmë që PS e Vlorës ta bënim zemrën socialiste. Ka ardhur koha të bëhet histori për ndershmëri dhe jo të hiqen djemtë e Vlorës nga listat. Të gjithë presim të krijojmë një model te ri”, tha Malaj.

Arben Malaj theksoi se ai u largua nga partia se kundërshtoi kreun e partisë, teksa u shpreh i bindur se nëse nuk u mund nga kryeministri Berisha më parë, nuk do të mundet as nga kreu i PS-së Edi Rama, i cili kryeson listën e kandidatëve në qytetin e Vlorës. 

“Vendimi im ishte i detyrueshëm se më përjashtuan për tu përfaqësuar ju. Kjo garë mbetet ogligimi im dhe një vendim i vështirë. Është e turpshme që të përjashtohemi kështu. E kisha vështirë të vendosja, por krenaria vlonjate më bëri të eci përpara. Por, jam i gëzuar që sot njerëzit e kuptojnë pabesinë që është bërë. I kërkuam Edi Ramës të organizojë forumet rinore dhe forumet e gruas, por ai farmatoi strukturat dhe nuk na dëgjoi. Sali Berisha punon njësoj si në 1997dhe ne duhet ta mundim Berishën prandaj vendosa të kandidoj i pavarur. Jam i bindur se qyteti i pavarësisë do të ketë deputetin e pavarur.. Vendi ka nevojë për rotacion. Berisha ka dështuar, militantizmi ka mbërthyer këdo. Duhet rotacion dhe jam i bindur se puna është e gjatë dhe e vështirë. Koalicioni i 1 Prillit kam frike se do na grryejë dhe është risk, ndaj të luftojmë ndaj Berishës. Mua nuk me mposhti dot Berisha me 1500 vetë që më rrinin vërdall dhe nuk do më mposhtë as Edi Rama”, nënvizoi Malaj.

Malaj i ka bërë thirrje kreut të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika që të shikojë punët e Bashkisë dhe jo të partisë. 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›