Vlorë; Ndalohen dy shtetas për plagosjen e 30-vjeçarit Dajko
Policia e Vlorës hodhi dritë mbi ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në këtë qytet, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Lulëzim Dajko, ndërkohë që vendosi masën e arrestit për dy persona dhe shpalli në kërkim një të tretë. Sipas burimeve zyrtare policore, mes të ndaluarve përfshihen 30-vjeçari Julian Dervishi dhe vetë i plagosuri, Lulëzim Dajko. Sipas të njëjtave burime, ngjarja kishte si bazë motive të dobëta dhe plagosja e 30-vjeçarit, erdhi pas një shkëmbimi zjarri mes tij dhe të ndaluarit tjetër, Dervishi. Dy protagonistët e ngjarjes, të cilët rezultojnë të jenë dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje”, kishin pasur një grindje mes tyre, gjë që përfundoi me një shkëmbim zjarri në afërsi të vendit të emërtuar "Omonia", në orët e para të të premtes. Gjithashtu, për këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim edhe 23-vjeçarin, Ergys Aliaj, i cili nuk është gjetur në banesë.