E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Tiranës, 1186 kuota më tepër për këtë vit



Për vitin e ardhshëm akademik do të rritet numri i kuotave të pranimit për maturantët në Universitetin e Tiranës me 1186 vende më shumë. Universiteti i Tiranës i ka propozuar Ministrisë së Arsimit që për vitin e ardhshëm të kenë mundësinë të regjistrohen në fakultete rreth 5826 studentë në vitin e parë. Këtu përfshihen kuotat për pranimin e studentëve me kohë të plotë, me kohë të pjesshme (part-time) dhe të atyre studentëve që vijnë nga trojet shqipfolëse që ndodhen jashtë kufirit shqiptarë. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë me dije se kjo shifër e kërkuar nga ky institucion reflekton propozimin për shtimin e numrit të studentëve në universitete. Kështu, në Fakulteti Ekonomik, edhe këtë vit ka më shumë kuota të vëna në dispozicion. Duke pasur parasysh se kjo degë është një ndër më të preferuarat nga maturantë, për vitin akademik 2008-2009 janë vënë në dispozicion rreth 1230 kuota. Ndërsa, te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja janë propozuar 710 kuota pranimi, ku ndër to vetëm gjuha angleze zë 180 kuota. Fakulteti i Drejtësisë edhe pse me një degë të vetme, pritet të pranojë vitin e ardhshëm akademik 600 studentë.

Burime pranë Universitetit të Tiranës bëjnë me dije se për sistemin me kohë të plotë fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë propozuar edhe 850 kuota part- time në dy fakultete: ai i Historisë dhe i Filologjisë dhe Fakulteti i Juridikut. Mësohet se do të ketë edhe kuota pa limit në Fakultetin e Ekonomisë në degët Biznes-Financë dhe në degën e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Pasi ministria të shqyrtojë propozimet e universiteteve, do t’i dërgoje Këshillit të Ministrave propozimin për numrin e kuotave.

Rreth numrit të kuotave të pranimeve në universitetet e Tiranës dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, u shpreh për gazetën “standard” se në fakultetin që ajo drejton, nuk do të ketë departamente me kuota pranimi me numër të hapur, pra që të pranohen të gjithë kërkuesit. Sipas saj, një gjë e tillë është provuar dhe një vit më parë dhe nuk pati rezultat, sepse në këto departamente u pranuan studentë që nuk njiheshin fare me gjuhën. Ndër të tjera, ajo theksoi se numri i kuotave të pranimit në fakultetin e saj kishte të bënte dhe me ambientet, gjë që bën që në këtë fakultet nuk është se të lejon të ngrihet numri i studentëve. Gjatë viteve të kaluara, vendimi për numrin e pranimeve në universitete, tarifat e shkollimit dhe detajet e tjera, kanë qenë gati në fund të muajit korrik ose në gusht. Numri i kuotave të miratuara nga Këshilli i Ministrave për vitin e kaluar akademik 2007-2008, ishte 4640 në Universitetin e Tiranës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›