E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen 3 ish-drejtues të lartë të minierës në Priskë



Pensionet

Dyshohet se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash për të bërë dokumente false, që persona të ndryshëm të përfitonin pensione me pa të drejtë. Por një hetim intensiv i agjentëve të Krimit Ekonomik të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Tiranës, ka zbuluar gjithë allishverishin. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime të policisë së kryeqytetit, sipas të cilave, në mesditë janë arrestuar Qazim Laçi, ish-drejtori i minierës së boksideve në fshatin Priskë, Tiranë, Fatmir Sulaj, ish-shef personeli në këtë minierë si dhe Rabie Pupla, ish-shefe e sigurimeve shoqërore, po në këtë vend. Policia tha se deri më tani ndaj të arrestuarve janë gjetur prova në 16 dosje të dorëzuara në Sigurimet Shoqërore, ku persona të ndryshëm kanë përfituar pensione.

Ndërkohë, nga të dhënat policore mësohet se prej disa muajsh ishin vënë nën përgjim personat e arrestuar, Qazim Laçi, Fatmir Sulaj dhe Rabie Pupla. Këta persona kanë qenë të dyshuar për dhënien e dokumenteve false që të merreshin pensionet e pleqërisë. Deri më tani është bërë e ditur se shumat e marra nga një përfitues ka qenë 50 mijë lekë. Burime nga policia thanë se përveç të arrestuarve, ka dhe persona të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në këtë aferë. Në hetime janë dhe specialistë të kuadrit në atë kohë, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, specialistë të kuadrit pranë ish-minierës së Kërrabës, Priskës etj. Ndërkaq që nën kontrolle ndodhen dhe një numër i madh dosjesh të pensioneve. Këto janë dërguar në prokurori nga vetë Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›