E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, Topi merr pjesë në stërvitjen ushtarake detare të NATO-s

TIRANË- Presidenti Bamir Topi, njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare, mori pjesë sot në Manovrën Ushtarake Detare, që po zhvillohet në gjirin e Vlorës.

Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se në këtë stërvitje ushtarake detare, me emrin e koduar “Luani i Albionit”, janë të përfshirë anije britanike dhe holandeze, kreu i shtetit u shoqërua nga Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekuilam, ai i Holandës, Kornelis Van den Dol, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, si dhe zyrtare të tjerë të lartë.

Gjatë komunikimit me pjesëtarë të bordit të anijes, kreu i shtetit është njohur me disa prej detajeve të rëndësishme ushtarake dhe të përgatitjes profesionale të tyre.

Presidenti shprehu vlerësim dhe mirënjohje për angazhimin e tyre të lartë, duke theksuar bindjen se bashkëpunime të tilla i shërbejnë rritjes profesionale dhe konsolidimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, të cilat tashmë denjësisht qëndrojnë krahë homologeve të tyre në vendet anëtare të NATO-s.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›