E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, USAID dhe ILDKP, me median dhe shoqërinë civile kundër korrupsionit

>Programi i USAID-it për Shtetin Ligjor, në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (ILDKP) organizuan dje në Vlorë një seminar mbi Konfliktin e Interesave dhe Deklarimin e Pasurive. Ky është seminari i dytë i mbështetur nga USAID dhe ILDKP, që synon të rrisë njohuritë mbi ligjet që rregullojnë konfliktin e interesave dhe deklarimin e pasurive, si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe median në zbulimin dhe denoncimin e rasteve të korrupsionit. Në seminar morën pjesë përfaqësues nga organizatat vendore të shoqërisë civile, gazetarë dhe zyrtarë të qeverisjes vendore të katër bashkive, komunave nga qarqet e Fierit dhe Vlorës. Në fjalën e hapjes, Z. Fred Yeager, Drejtori i Programit të USAID-it, inkurajoi pjesëmarrësit në rolet e tyre për të investiguar dhe denoncuar korrupsionin e zyrtarëve publikë. Përfshirja qytetare në evidentimin dhe parandalimin e rasteve të tilla ndihmon dhe mbështet ILDKP-në në përpjekjet e saj për zbatimin e ligjeve që lidhen me konfliktin e interesit dhe deklarimin e pasurive dhe ndikon në minimizimin e korrupsionit, tha Yeager. Në fjalën e tij, z. Llalla, Inspektor i Përgjithshëm i ILDKP, njohu rëndësinë e organizatave vendore dhe medias në promovimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë të zyrtarëve publike. Programi i USAID-it punon me gjykatat, institucionet mbikëqyrëse siç është ILDKP dhe organizatat monitoruese për të luftuar korrupsionin në sektorin publik në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›