Komuniteti rom: nuk pyesin për ne, nuk shkojmë në zgjedhje
>Komuniteti rom në Tiranë është shprehur se nuk është i interesuar të marrë pjesë në votimet e këtij viti, sepse sipas tyre ata nuk përfaqësohen dhe se askush nuk i merr parasysh problemet e tyre. Një pjesë e tyre deklarojnë se pavarësisht se janë të regjistruar si të gjithë qytetaret e tjerë, ata nuk do të aplikojnë as për kartat e identitetit, për arsye të kushteve të vështira ekonomike.
Ndërsa përfaqësuesi i këtij komuniteti, Gurari Mejdani është shprehur se kartat e identitetit janë përgjegjësi e të gjithë qytetarëve, dhe se ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët romë që të aplikojnë për këto letërnjoftime. Për sa i përket votimit, ai ka theksuar se kjo është zgjedhje e lirë e të gjithëve. Sipas të intervistuarve, gjendja ekonomike e këtij komuniteti është shumë e vështirë. Ata kanë vlerësuar se ndjehen të lënë pas dore dhe se shumë romë janë të pastrehë, por edhe ata të cilët kanë një shtëpi, janë paralajmëruar nga Bashkia e Tiranës, se shtëpitë e tyre do të rrëzohen. Këto janë arsyet që sipas tyre, romët nuk do të votojnë këtë vit.