E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, anija ‘Veronica’ këput litarët del në breg, problem ankorimi në Port

VLORE-Moti i keq dhe reshjet e shoqëruara me stuhi sjellin probleme në portin e Vlorës. Mëngjesin e sotëm anija ‘Veronica’ e sekuestruar prej disa muajsh në këtë port sot ka këputur litarët dhe ka dalë në cekëtinë duke penguar punën normale në port.

Anija, në momentin e këputjes së litarëve ka qenë pa marinar në bord dhe është spostuar midis dy kalatave duke dalë në cekëtinë. Sipas specialistëve të portit kjo situatë e rëndë mund të bllokojë totalisht punën në portin e Vlorës pasi tragetet dhe anijet tregëtare nuk mund të manovrojnë dhe rrezikohen nga ky traget.

Forcat detare po përpiqen që me dy rimorkiatorë ta nxjerrin anijen në det dhe ta riankorojnë në mol, por kjo duket e pamundur pasi dallgët e kanë zhytur anijen në rërë.

Anija ‘Veronica’ ka dalë nga itinerari rreth 16 muaj më parë për shkak të procedurave me shtetin italian dhe që prej asaj kohe kjo anije ka qenë problem për punën normale në portin e Vlorës duke mos ditur ku ta çojnë.

Ajo që mbetet shqetësuese është fakti se kjo anije rrezikon të përplaset me anijet e tjera, nëse kushtet klimaterike do të përkeqësohen në vijim.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›