Vlorë, arrestohen 2 vëllezër, planifikonin grabitje
Policia e Vlorës ka arrestuar dy vëllezër pasi dyshohen se po përgatiteshin të kryenin grabitjen e një qendre tregtare. Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar dy vëllezërit Oni dhe Neli Hysaj përkatësisht 36 dhe 39 banues në lagjen “24-Maji” në Vlorë.
Sipas policisë Oni Hysaj është vënë në hetim nga policia pas sinjalizimit se prej disa ditësh ka qenë duke vëzhguar sistemet e sigurisë dhe kohën e mënyrat e lëvizjes së shumave monetare në një qendër tregtare. Pas hetimeve, policia është vënë në lëvizje për aktivitetin e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruan në banesën e tij në lagjen "24 Maji", në dhomën e gjumit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri tip pistoletë, një e markës "Smith" mod 36, dhe një e markës "Bereta" e kalibrit 6.35 mm së bashku me 21 fishekë luftarakë.
Pas hetimeve, policia ka arritur në përfundimin se pjesë e planit ka qenë dhe vëllai i të arrestuarit, Neli Hysaj. Sipas policisë 36-vjeçari Oni Hysaj ka rezultuar me precedentë penalë në Itali. Pas arrestimit të dy vëllezërve po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminale të tyre.
Ndërkohë materialet Procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit".