E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, arrestohen 7 të rinj, dyshohen për vjedhje bankash

VLORE - Policia arrestoi sot 7 të rinj nga qyteti i Vlorës, të cilët dyshohet të jenë autorë të një numri vjedhjesh me armë, të realizuara dy vitet e fundit në filiale të bankave dhe lokale të lojërave të fatit.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se, "të rinjtë që vepronin të organizuar në kuadrin e një grupi të strukturuar, u arrestuan gjatë një operacioni të përbashkët të emërtuar "Sfida", ku u përfshinë struktura të Luftës Kundër Krimeve të Rënda në drejtorinë e Policisë së Qarkut, nën drejtimin e prokurorisë dhe me mbështetjen e Njësive të Specializuara të Departamentit të Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe forcave speciale".

Armando Dumani, Sokol Dhima, Arlind Hitaj dhe Arbër Katiaj, dyshohet të kenë vjedhur nën kërcënimin e armëve filialin e "Raiffeisen Bank", në datën 8 mars të këtij viti, ku plagosën me armë edhe një nga punonjësit e sigurisë. Po ashtu, ata dyshohet të jenë autorë të vjedhjes me armë të filialit të "Pro Credit Bank", në 26 prill të vitit të kaluar, duke marrë prej saj vlera të konsiderueshme monetare, ndërkohë që kanë realizuar edhe të paktën 5 vjedhje të tjera të kësaj natyre, mes të cilave lokalin e lojrave të fatit kazino APEX në tre raste, kazino ADMIRAL, lokalin e eurollotos "Bet 07", lokalin e lojërave të fatit "Ecco BETT", etj, ku kanë përvetësuar përmes kërcënimit të armëve vlera monetare, duke plagosur në dy raste edhe punonjës të sigurisë në to. 

Në operacionin e mësipërm janë arrestuar edhe të rinjtë Ermir Merkollari, Endri Rrokaj e Bledar Aliko, të cilët kanë shërbyer në mbështetje të veprimeve të pjesëtarëve të tjerë të grupit, duke drejtuar automjetet për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, apo duke realizuar vëzhgimin e territorit ku do të kryheshin vjedhjet.

Nga kontrolli i ushtruar në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri tip pistoleta TT mod 54, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh te këtij kalibri. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe 8 automjete të përdorura gjatë grabitjeve, veshje sportive, maska dhe doreza, si dhe 14 telefona celularë. Mësohet se, nga krahasimi i ekspertimeve balistike ka rezultuar se armët e gjetura janë ato të përdorura nga autorët në rastet e plagosjeve të punonjësve të sigurisë së objekteve të grabitura.

Aktualisht, sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e aktivitetit të 7 të arrestuarve, pasi dyshohet që ata të jenë përfshirë edhe në vepra të tjera penale.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›