E Diel, 1 Nëntor 2026

ACR: Borxhi ndaj furnitorëve i përket kompanisë “Italkrom”

BULQIZE - Kompania koncesionare “ACR”, reagoi në lidhje me ndërhyrjen e sotme të zyrës përmbarimore në Uzinën e Burrelit, e cila tentoi sekuestrimin e një sasie ferrokromi për shkak të një borxhi ndaj furnitorëve.

Përmes një njoftimi shpërndarë për mediat, kompania ACR sqaron se borxhi ndaj furnitorëve është një detyrim i pashlyer i kompanisë italiane “Italkrom”, e cila administronte uzinën në kohën kur menaxhohej nga “DARFO”.

“Punonjësit e përmbarimit kanë hyrë në Uzinën e Burrelit dhe kanë tentuar të sekuestrojnë ferrokromin që ndodhen në Uzinë me pretekstin se po ekzekutojnë në vendim të Gjykatës për një borxh që pretendohet se kompania i ka furnitorëve. ACR sqaron opinionin publik se kompania italiane “Italkrom”, e cila administronte uzinën në kohën kur menaxhohej nga “DARFO”, nuk ka paguar furnizuesit e saj dhe në një moment është zhdukur pa lënë gjurmë.”- sqarojnë drejtuesit e kompanisë ACR.

Sipas kompanisë ACR, “furnizuesit kanë paditur kompaninë “Italkrom” në Gjykatën e shkallës së parë dhe ajo u ka dhënë të drejtë. Vendimi është kundërshtuar në Gjykatën e Apelit brenda afateve ligjore. Kjo ka bërë që vendimi i shkallës së parë të mos marrë formën e prerë dhe për pasojë të mos jetë ende i ekzekutueshëm.”

ACR e cila ka marrë në administrim uzinën e Ferrokromit në Burrel, pas largimit të kompanisë “Italkrom” bën të ditur se po ndjek të gjithë hapat ligjore, duke besuar në gjykimin e drejtësisë. Ndërkohë veprimet e përmbarimit përkohësisht janë ndërprerë.

“Kompania gjen rastin të falënderojë edhe forcat e policisë, të cilat me profesionalizëm ndikuan që kjo ngjarje të mos përfundojë me një konflikt.”- përfundon njoftimi.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›