E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, bora bllokon për disa orë Qafë Llogaranë

Dëbora bllokoi në orët e para të mëngjesit lëvizjen e automjeteve në Qafë Llogara. Pas ndërhyrjes nga Ndërmarrja rajonale e Rrugëve në Vlorë qarkullimi u normalizua rreth orës 10.00. 

VLORE- Qarkullimi i automjeteve në Qafë Llogara, rreth 40 km larg Vlorës është normalizuar pas situatës së krijuar nga reshjet e dëborës që përfshinë këtë zonë gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme. Drejtori i Ndërmarrjes rajonale të Rrugëve në Vlorë, Saimir Haxhiu, tha se "dëbora është pastruar në pjesën më të madhe të këtij aksi dhe prej orës 10:00 të ditës së sotme mjetet mund të lëvizin në këtë aks, por me zinxhirë".

Në këtë aks rrugor vazhdojnë të qëndrojnë mjetet e ndërmarrjes së rrugëve dhe të firmës "Spartak", që ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e kësaj rruge.

Ndërkohë rruga në Qafë Llogara është duke u patrulluar nga forcat e policisë, për të evituar ndonjë aksident.
Trashësia e dëborës në Qafë Llogara, pika më e lartë e së cilës ndodhet 1050 metra mbi nivelin e detit, arrin në mbi 10 cm.
(s.g/ATSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›