E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë,arrestohen katër persona për drogë

Katër persona me rreth 4 kilogramë lëndë narkotike, e cila dyshohet të jetë e llojit heroinë, u kapën nga policia e qarkut të Lezhës gjatë një operacioni të koduar "Pirro". Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, tha të enjten në një komunikim me median se "në prangat e policisë kanë rënë Pëllumb Jakupi, 51 vjeç, lindur dhe banues në Fier, Angjelin Ujka, 51 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, Agim Kashari, 48 vjeç, lindur në Patos dhe banues në Koplik si dhe Arbri Jakupi, 24 vjeç, lindur dhe banues në Fier".Të katër personat udhëtonin me automjetin tip "Benz", me targa MA 2171 B, kur u ndaluan mbrëmjen e kaluar për një kontroll nga policia, në vendin e quajtur fshati Ishull- Shëngjin, Lezhë. Sasia prej 4 kg lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë dhe një sasi prej 4 kg pluhur, e dyshuar si përzierës i lëndës narkotike u gjetën në bagazhin e automjetit. Zëdhënësi Branko bëri të ditur se materialet në ngarkim të 4 të ndaluarëve, për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për hetime të mëtejshme. Në cilësinë e provës materiale policia u ka sekuestruar atyre dhe një pistoletë me silenciator tip "Beretë", 8 fishekë dhe 7 aparate celularë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›