E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakër në Kabul, talebanët vrasin 20 civilë

Talebanë të armatosur kanë
sulmuar dje tri godina qeveritare
në një sulm të koordinuar që
ka marrë jetën e 20 personave në
zemër të kryeqytetit të vendit,
Kabul. Kjo tragjedi ka ndodhur
vetëm pak kohë para vizitës së
parë të të dërguarit të posaçëm
të Shteteve të Bashkuara në Rajon,
Hollbruk. Sulmet në një
qytet të mbushur me barrikada
dhe roje të armatosura kanë
nxjerrë edhe një herë me forcë
në pah fuqinë dhe rrezikshmërinë
e talebanëve, të cilët po
luftohen nga forcat e NATO-s që
prej 8 vitesh. Tetë sulmuesit i
dërguan tri mesazhe liderit të
celulës së tyre terroriste në Pakistan
para sulmeve, duke nxjerrë
kështu në pah edhe lidhjen që
ekziston mes terroristëve të të
dyja vendeve. Personat e armatosur
kanë sulmuar Ministrinë e
Drejtësisë në orët e vona të
mëngjesit, duke hapur zjarr ndaj
punonjësve të saj. Terroristët e
kanë zotëruar godinën për dy
orë, derisa forcat e policisë
mundën të depërtonin e të futeshin
në godinë. E njëjta situatë
ka ndodhur edhe në Ministrinë
e Arsimit dhe atë të Mbrojtjes. Si
pasojë, humbën jetën 20 vetë
dhe u plagosën 57 të tjerë. Për sa
u përket terroristëve, ata vdiqën
të tetë. Sipas zëdhënësit të talebanëve,
qëllimi i sulmeve ishte
kundërpërgjigje e keqtrajtimeve
që u bëhen të burgosurve talebanë
në burgjet vendase. Sipas
burimeve të policisë, terroristët
ishin të pajisur me shumë municion
dhe me të gjitha hollësitë që
kishin të bënin me ndërtesat dhe
ambientet e tyre. Ky sulm i
koordinuar ndaj civilëve të kujton
atë në Indi, ku terroristët terrorizuan
civilë të pafajshëm në
hotele dhe rrugë e ku humbën
jetën 164 persona. Në lidhje me
këtë akt, terroristët janë arrestuar
dhe janë ndaluar nga policia
shumë persona. Sulmi i ka paraprirë
vizitës së të dërguarit të
posaçëm amerikan në rajon,
Hollbruk.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›