Vlorë, burg pa afat ekspertit të pyjeve
Vlorë- Gjykata e Vlorës ka vendosur sot arrest me burg për Besnik Kuçin, që ushtronte veprimtarinë private të ekspertit të lëndës drusore, i ndaluar para tri ditësh, pasi u akuzua për korrupsion dhe vjedhje përmes mashtrimit.
I akuzuari ka mohuar akuzat, duke deklaruar se gjithçka në ngarkim të tij ka qenë një skenar i montuar që më parë. “Po lihen të lirë njerëz që kanë shkaktuar një dëm prej miliarda lekësh dhe në pranga duhet të vihesha unë, që përpilova raportin, një skenar i përgatitur mirë e me kujdes”- tha ai, duke kërkuar që çështja të mos kalonte nga prokuroria e Vlorës, duke shfaqur rezerva për të, por tu besohej homologëve të tjerë jashtë këtij qyteti.
Në seancën e sotme prokurori i akuzës Ndini Tavani tha se arrestimi është i ligjshëm, pasi ka patur prova të mjaftueshme për të implikuar Kucin, referuar përgjimit të kryer të bisedave telefonike. “Ka pasur një denoncim nga ana e shtetasit Qatim Veshaj dhe pas kësaj strukturat janë vënënë lëvizje, duke urdhëruar edhe simulimin e veprimeve”- tha ai.
Sipas avokatit mbrojtës denoncimi dhe situata vinin nga vetë të akuzuar të këtij procesi dhe kjo e bën dyshues veprimin e tyre. Por, gjyqtari i seancës Vladimir Skënderaj ka marrë vendimin që hetimet për Kucin të vijonin nën masën e sigurisë arrest në burg.
Kuci akuzohet për korrupsion pasiv në sektorin privat, për një shumë prej 10 mijë euro. Denoncuesi i tij është një ndër 18 të akuzuarit e çështjes së bujshme të shkatërrimit të pyjeve të lumit të Vlorës.