E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, dëmtohet ura e Mifolit, ndalon qarkullimi

Nga Enrik Mehmeti
Eshtë bllokuar rruga nacionale Vlorë-Fier,për shkak të amortizimit i tejskajshëm i saj, çarjet dhe dëmtimet e dukshme në konstruksion. Si zgjidhje emergjente është sajuar një by-pass. 

VLORE Dëmtimi i urës së Mifolit në rrugën nacionale Vlorë-Fier dhe rreziku nga kalimi mbi të i automjeteve, ka bërë që të urdhërohet bllokimi i saj që nga mbrëmja e ditës së enjte. Ndërkohë, si zgjidhje emergjente është sajuar një by-pass me gurë e zhavorr për të mundësuar lëvizjen e automjeteve. Sipas Saimir Haxhiut, drejtori i Ndërmarrjes së Rrugëve për Qarkun e Vlorës, është urdhëruar dhe janë marrë masat që nga ora 18:00 e ditës së enjte e në vazhdim, kur kjo urë ka dalë jashtë funksionit. "Shkak i bllokimit të urës së Novoselës (Mifolit) është amortizimi i tejskajshëm i saj, çarjet dhe dëmtimet e dukshme në konstruksion, gjë e cila praktikisht paraqet rrezik serioz për kalimin e automjeteve. Kemi kërkuar gjithashtu ardhjen e menjëhershme të specialistëve ekspertë nga Tirana, në mënyrë që të përcaktohen hapat e mëtejshëm", - pohon për "Gazeta Shqiptare" drejtori Haxhiu. Ndërkohë, dëmtimi i urës (mbikalim treni) dhe zgjidhja provizore për lëvizjen e automjeteve, po paraqet dhe rrezik për trasenë e hekurudhës dhe lëvizjen e trenave mbi të.
Ura
Sipas drejtorit Haxhiu, pas konstatimeve të disa çarjeve të thella në bazamentin dhe shtratin e urës, me një grup specialistësh u bë verifikimi në vend dhe u arrit në konkluzionin se ajo ishte e papërdorshme. "Për këtë njoftuam në ministri dhe të enjten erdhi grupi i specialistëve për të verifikuar situatën", - shton Haxhiu. Menjëherë pas bllokimit të urës, u morën masa për ndërtimin me gurë e zhavorr të një rruge provizore për lëvizjen e automjeteve. Por për shkak të kryqëzimit me hekurudhën, konstruktit të tokës dhe fluksit në rritje të qarkullimit të automjeteve, kalimi në të është tejet i vështirë. Së bashku me punonjësit e Ndërmarrjes së Rrugëve kanë mbërritur edhe drejtues e punonjës të hekurudhave, pasi si pasojë e rrugës së improvizuar shinat e trenit që gjenden nën mbikalim mbulohen prej baltës. "Në këtë mënyrë, së paku një orë para se të kalojë treni, ne jemi të detyruar të ndërpresim lëvizjen e automjeteve në rrugën provizore dhe të bëjmë pastrimin e trasesë nga balta dhe inertet", - pohojnë specialistët e hekurudhës.
Zgjidhja
Situata, sipas drejtuesve të Ndërmarrjes së Rrugëve dhe atyre të Rajonit Hekurudhor, vazhdon të jetë kritike në këtë pikë të aksit Vlorë-Fier. Veçanërisht në këto ditë që fluksi pothuaj dyfishohet nga ardhja e emigrantëve për festat, problemi bëhet më i mprehtë. Në orët e para të mëngjesit të ditës së premte, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në Tiranë kanë mbërritur në Vlorë një grup ekspertësh. Mësojmë se ata, pasi kanë verifikuar gjithçka në vend, kanë marrë të dhëna mbi gjendjen aktuale të mbikalimit, me qëllim për të nxjerrë një konkluzion përfundimtar. Mbi bazën e këtij konkluzioni, pritet që të jepet zgjidhja nëse kjo urë-mbikalim do të riparohet përsëri, apo do të jepet një zgjidhje tjetër nëpërmjet ndërtimit të një segmenti rrugor të ri. Edhe pse ky variant shikohet si më i thjeshti, specialistët shtojnë se një hap i tillë sjell probleme të shumta për linjën hekurudhore. Edhe pse ekspertët nuk kanë dalë ende me një vlerësim zyrtar përfundimtar, praktikisht ajo është e pakalueshme. Konfirmohet gjithashtu se amortizimi i tejskajshëm dhe me rrezik për urën-mbikalim, është ndërtimi i saj prej më shumë se 25 vjetësh. Drejtori Haxhiu, duke ritheksuar se urdhri për bllokimin e lëvizjes ishte i domosdoshëm dhe në kohë, shton se zgjidhja pritet të jetë e shpejtë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb) 



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›