E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Kosova "e preferuar". Plan për heqjen e taksave

Presidenti Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W. Bush në prang të largimit të tij ndërmerr një tjetër hap për të ndihmuar shtetin më të ri të botës. Vendimi ka të bëjë me heqjen e taksave doganore për prodhime të caktuara , të cilat importohen në Shtetet e Bashkuara. 

WASHINGTON- Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush ka shpallur vendimin që Kosovës t'i mundësohen disa lehtësira të caktuara tregtare në bazë të programit për Sistemin e Përgjithshëm Preferencial.

"Unë kam vendosur që Republika e Kosovës të emërohet si vend në zhvillim që gëzon perfitimet nga programi i Sisitemit te Pergjithshem Preferencial", thuhet në vendimin e presidentit Bush që e bëri publik Shtëpia e Bardhë.

Vendimi i presidentit Bush iu dërgua menjëhere Kongresit Amerikan. Vendimi ka të bëjë me heqjen e taksave doganore për prodhime të caktuara, të cilat importohen në Shtetet e Bashkuara.

Sistemi i Përgjithshëm Preferencial është program i miratimit të lehtësimeve tregtare, të cilat SHBA-të i bëjnë për partnerët e tyre afaristë, në mënyrë që të mbështesin zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve. Aktualisht programin e shfrytëzojnë më shumë se 140 vende. 
Në këtë listë do të përfshihet edhe  Azerbaxhani ndërsa Mauritania do te fshihet nga lista e këtyre vendeve për shkak të dështimit në aspektin e progresit në fushën e rregullave ligjore dhe në vendosjen e pluralizmit politik.

(BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›