E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshen- Kalimash, banorët bllokojnë rrugën

Forcat e policisë kanë përdorur dhunë fizike për të larguar banorët e 3 fshatrave të komunës Fan të Mirditës. Prej 3 orësh banorët mbajtën të bllokur aksin Rrëshen- Kalimash. Ata fajësojnë firmën Bechtel- Enka, se ka shkatërruar rrugën. 

MIRDITE- Banorët e 3 fshatrave të komunës Fan të rrethit Mirditë, kanë bllokuar sot paradite për më shumë se 3 orë aksin Rrëshen Kalimash. Të ulur në mes të rrugës, që lidh tunelin e Thirrës, fëmijë, gra, burra dhe pleq kanë protestuar të indinjuar për shkak të amortizimit tejet të rënduar të këtij aksi rrugor.

Banorët në protestë ishin nga fshtatrat Bardhaz, Lari dhe Xhuxh. Ata fajësojnë gërmimet që janë zhvilluar në autostradë nga firma "Bechtel- Enka", e cila po ndërton rrugën Durrës- Kukës, për shkatërrimin e aksit rrugor, jetik për jetesën e tyre.
Protesta zgjati nga ora 09.15 minuta deri pas orë 11.00 dhe banorët kanë hedhur gurë dhe lëndë drusore në mes të rrugës për të mos lejuar asnjë makinë të kalonte.

Situata ka ardhur duke u tensionuar pasi dhjetëra makina të tonazhit të lartë nuk kanë mundur të lëvizin duke krijuar një karvan të gjatë nga të dy anët e rrugës. Edhe punëtorët që punonin në tunelin e Thirrës fillimisht nuk janë lejuar të shkonin në punë.

Më pas në vendgjarje kanë mbërritur forcat e policisë së komisariatit të Mirditës si dhe forcat e sigurisë së firmës "Bechtel Enka". Banorët kanë kërkuar të zhvillojnë një takim me kryetarin e komunës së Fanit si dhe me përfaqësuesit e firmës.
Mësohet se forcat e policisë kanë ndërhyrë duke përdorur edhe dhunë fizike mbi banorët dhe kanë bërë të mundur dhe zhbllokimin e rrugës.

Banorët nuk janë dorëzuar por vazhdojnë të qëndrojnë anës rrugës për të protestuar. Sipas tyre rruga është dëmtuar prej 9 muajsh dhe asnjë makinë nuk mund të kalojë për të hyrë në fshatrat Bardhaz, Lari dhe Xhuxh. Ato kanë treguar se fëmijët e tyre detyrohen të bëjnë 20 km rrugë vajte ardhje në këmbë cdo ditë për të frekuentuar shkollën.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›