Vlorë, emigrantët 2 orë në tragete, zbritja nuk korrespondon me pritjen
Emigrantë të shumtë që jetojnë dhe punojnë në vendet e Europës Perëndimore kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre për të kaluar pushimet e verës. Ata që kanë zgjedhur portin e Vlorës për këtë qëllim, që më së shumti janë banorë të qyteteve Vlorë, Fier, Berat, Lushnje e Kuçovë, po gjejnë në portin e këtij qyteti shërbim të shpejtë në përpunimin e dokumenteve.
Nisur edhe nga përvoja e viteve të kaluara, autoritetet portuale kanë marrë qysh më parë masa të mira përgatitore duke filluar me kualifikimin e personelit që do të ketë kontakt me të kthyerit e deri tek shtimi i sporteleve që do të jenë në dispozicion të përpunimit të dokumenteve. Mirëpo me sa duket të kthyerit nga ky port do të hasin gjithmonë probleme. Kësaj radhe problemi ka lindur në moskoordinimin e mirë të orarit të ardhjes së trageteve në port dhe fillimit të punës nga personeli që duhet të bëjë pritjen e tyre. Siç tregojnë shumë nga emigrantët që këto ditë kanë ardhur nga ky port, mbërritja e tyre në afërsi të portit bëhet rreth orës 05:00, mirëpo ata nuk mund të zbresin në tokë, për arsyen e vetme se personeli që duhet të merret me përpunimin e dokumenteve të tyre i hap sportelet vetëm në orën 07:30 minuta. Kështu që këtyre pasagjerëve u duhet të rrinë në tragete për rreth dy orë e gjysmë e ngandonjëherë edhe më shumë. Pasagjerët shprehen të habitur për këtë fakt dhe si kundërvënie të tregojnë se sportelet e porteve italiane punojnë deri rreth mesnatës vetëm e vetëm që në portin e tyre të mos mbesë asnjë traget pa u nisur. Autoritet portuale në Vlorë tregojnë se kjo është e vërtetë, ku tragetet vijnë në mëngjes dhe u duhet të presin rreth tre orë në radë sepse kështu është orari zyrtar i punës në këtë port dhe për ndonjë ndryshim duhet patjetër urdhër nga lartë.