E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni veror than aktivitetet në institucionet kulturore

Muzeu Historik Kombëtar dhe Galeria Kombëtare e Arteve të vetmet institucione, që qëndrojnë hapur për publikun
Sezoni artistik pas një axhende të ngjeshur me aktivitete nëpër institucionet kulturore, duket se tashmë ai gjatë këtij sezoni veror nuk do të ofrojë asnjë aktivitet kulturor për publikun. Tashmë jemi mësuar se në çdo vit, sapo vjen vera institucionet kulturore të kryeqytetit të cilët janë nën varësinë e Ministrisë  së Kulturës, por dhe të Bashkisë së Tiranës nuk shfaqin asnjë lloj veprimtarie kulturore për publikun, duke bërë të ditur në këtë mënyrë se një kohë e gjatë pushimi ka nisur në institucionet kulturore. Këtë gjë mund ta vërtetosh mjaft lehtë vetëm gjatë një vëzhgimi të bërë në këto institucione kulturore. Gjatë një vëzhgimi në të gjitha qendrat e kulturës së metropolit nuk u pa asgjë për fillimin e ndonjë shfaqje apo të ndonjë veprimtarie tjetër kulturore. I vetmi organizim dhe ajo që po i ofrohet publikut është vetëm një shfaqje në TK, e cila do të jetë vetëm një natë. Vepra titullohet Këngëtarja tullace dhe vjen sonte në skenë nga regjisori Spiro Duni. Vera që ka tharë aktivitetet kulturore bën që për kryeqytetasit të mos ketë asnjë vend tjetër argëtimi, por sërish të jenë vetëm lokalet dhe pabet vendet në të cilat ai mund të gjejë argëtim, mes një zhurme dhe tymi cigareje. Kjo është ajo që të ofron këtë sezon veror ashtu si dhe në sezonin e kaluar metropoli shqiptar. Në një kohë që për publikun duhej të kishte të paktën disa veprimtari kulturore, sezoni veror ka bërë që tashmë dyert e institucioneve kulturore të jenë të mbyllura për publikun. E nëse Bashkia e Tiranës  si dhe Ministria e Kulturës nuk shqetësohen për këtë gjë, në vende të ndryshme të botës ndodh krejt e kundërta. Janë veprimtari kulturore të shumta, por dhe shfaqje të ndryshme repertori, të cilat shfaqen për publikun, ndërsa tek ne sapo nis sezonin veror mbaron çdo veprimtari kulturore. E ndërkohë nuk duhet mohuar që gjatë sezonit artistik të dimrit Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit si dhe Teatri Kombëtar kanë pasur një sezon të pasur artistik. Një sezon artistik me kryevepra shqiptare dhe botërore, kjo ishte ajo që prezantoi Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit gjatë këtij sezoni. Për publikun u ngjitën në skenë artistë të njohur shqiptarë dhe botërorë, të cilët përcollën emocione tek publiku. Emra të kompozitorëve të njohur botërorë si Puçini,Verdi, Belini dhe mes tyre dhe emra të njohur kompozitorësh shqiptarë si Nikolla Zoraqi, erdhën me disa prej kryeveprave të tyre në skenën operistike. E ndërkohë që dhe ndër veprat e TK përmendim shfaqje si Forca e zakonit, Filumena Marturano, etj, të cilat janë duartrokitur nga publiku. Të vetmet institucione kulturore, që do të qëndrojnë të çelur përgjatë gjithë sezonit veror, për artdashësit  do të jenë Muzeu Historik Kombëtar si dhe Galeria Kombëtare Arteve  e rikonstruktuar vetëm dy muaj më parë, tashmë kjo galeri do ti ofroje publikut vendas, por edhe turistëve të huaj, 120 vjet të artit të pikturës dhe skulpturës në Shqipëri. Gjashtë sallat e galerisë dëshmojnë kështu, që nga fillesat e artit pamor fundi shekulli i XIX, më pas me shkollën e vizatimit të viteve 30-të, tek piktura e viteve 50- 86, më tej realizmi socialist, ndërtimi i njeriut të ri 60- 86, më pas salla e pikturës formaliste nga viti 1969 -1974 dhe në fund salla e pikturës dhe skulpturës moderniste, që përfshin vitet 1989- 2001, e cila përmbyll muzeun. Nga drejtuesit e GKA mësohet se në sallën e parë do të ekspozohet, një pjesë e koleksioneve të tjera të galerisë, koleksion i autorëve të huaj, koleksioni tibets, i cili përmban brenda artistë të rëndësishëm të artit bashkëkohor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›