E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, forcohen masat e sigurisë për bosin e "Ndrangheta"

VLORE - Përfaqësues të drejtësisë dhe të hetimit të mafias në Itali u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare që të marrin masa të forta sigurie për bosin e "Ndrangheta", Guiseppe Simonelli, i cili u arrestua disa ditë më parë në plazhin e Jonufrës në Vlorë. "Gazeta Shqiptare" citon sot burime nga para-burgimi ku dhe ndodhet 32-vjeçari i akuzuar për trafik të sasive të mëdha të drogës në vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore, të cilat bëjnë të ditur se pala italiane ka kërkuar që të jenë më vigjilentë ndaj Simonellit.

Mësohet se ndryshe nga Albino Prudentino që u prangos në shtator të 2010-tës, kalabrezi i njohur me nofkën "Paco" është aktiv në klanet e drogës dhe klasifikohet më i rrezikshëm. Ndërsa, Prudentino akuzohej për implikime të hershme me mafian dhe klasifikohej disi "joaktiv" në botën e krimit.

Për këtë arsye paraburgimi i Vlorës i ka shtuar masat e sigurisë, edhe pse ky institucion klasifikohet nga më të sigurtët në Shqipëri dhe nuk ka ndodhur asnjë arratisje.

Burimet e mësipërme, sqarojnë se ndryshe nga Prudentino, 32-vjeçari Simonelli nuk ka pasur preferenca për qëndrimin në dhomë vetëm, por shoqërohet nga një tjetër i akuzuar i drejtësisë shqiptare. Gjithashtu, mësohet se Simonelli nuk parapëlqen që të dalë dhe të qëndrojë në ajrim me të akuzuarit e tjerë. Pjesën më të madhe të kohës, ai dhe italiani tjetër që është arrestuar kohë më parë parapëlqejnë që të qëndrojnë në dhomë për të parë televizor. Giuseppe Simonelli pritet që të ekstradohet brenda një kohe prej 40 ditësh, pasi nga ana e prokurorisë nuk ka pasur asnjë kërkesë që të mbahet për hetime në Shqipëri.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›