E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, gjyqtarja sulmohet me acid, djegie në sy e në gojë

TIRANE- Një gjyqtare penale e Gjykatës së Vlorës është sulmuar me acid në fytyrë në mes të rrugës, nga një person ende i paidentifikuar. Ngjarja ndodhi rreth  orës 09:00 të mëngjesit të sotëm, në lagjen “28 Nëntori” ku gjyqtarja Mirela Mishgjoni banonte.

Lajmi në redaksinë e Tv A1 Report mbërriti rreth orës 10: 30 minuta në një kohë që Ministri i Brendshëm po transmetonte Live në më shumë se një media televizive rezultatet e suksesshme në luftën kundër krimit, korrupsionit, trafiqeve dhe mbrojtjes së rendit e sigurisë për vitin 2012.

Për momentin nuk ka shumë detaje por mësohet se gjyqtarja Mirela Mishgjoni, 44 vjeçe është e shtruar në spitalin e Vlorës ku po merr mjekimin e duhur. Mendohet se gjyqtarja ka bërë rezistencë me agresorin.

Mjeku kirurg Aldo Vangjeli deklaron se "gjyqtarja u paraqit me plagë djegieje me acid sanitar shtëpie dhe se ka djegie në syrin e majtë dhe në gojë”

Mjeku kirurg tha se gjyqtarja po mjekohet çdo 15 minuta dhe nuk është e nevojshme të dërgohet në Tiranë. “Pacientja nuk ka rrezik për jetën ka problem vetëm me mukozën e gojës. Brenda 24 orësh do të shikohet reagimi i lëkurës” - tha mjeku Vangjeli. 
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›