Vlorë, grabisin me armë argjendarinë, plagosin shitësin

Dy persona grabisin një dyqan argjendarie në Vlorë, ndërsa kanë plagosur pronarin me armë zjarri. Ngjarja e rëndë është regjistruar mesditën e së enjtes në zonën e quajtur”Gjashtëkatëshi”, lagje jo shumë e populluar nga këmbësorët, ku dy persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur një sasi floriri, teksa pronari Bezhan Gjika 52 vjec, po mbyllte dyqanin e argjendarisë. Burime pranë vendit të ngjarjes kanë bërë me dije se shitësi ka bërë rezistencë në momentin e ngjarjes, por për pasojë është plagosur rëndë në trup. Autorët kanë mundur të marrin një sasi floriri dhe janë larguar menjëherë në drejtim të paditur. Ndërkohë që 52-vjecari i plagosur është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Mjekët bëjnë të ditur se i plagosuri ka marrë një plumb në krahëror, por është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa një grup hetimor është ngritur për verifikimin e rrethanave të kësaj ngjarje, si dhe për idenfitifikimin e arrestimin e autorëve.