E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, grabitet në mes të ditës filiali i bankës

Shuma e grabitur, 1 milion lekë. Policia, në kërkim të dy autorëve

Grabitet në mes të ditës filiali i bankës “Raiffaisen” në qytetin e Vlorës. Dy persona me maska dhe të armatosur kanë mundur të marrin rreth 1 milion lekë dhe të largohen brenda pak minutash, duke i shpëtuar prangosjes së policisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13.40 të së hënës, kur lëvizjet kanë qenë më të pakta. Autorët kanë shfrytëzuar momentin kur në stadiumin e qytetit zhvillohej një ndeshje futbolli dhe policia ka qenë e angazhuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Grabitja ka ndodhur në degën e “Raiffaisen Bank”, pranë ish-zyrës së punësimit, në afërsi të kryqëzimit të rrugës Transballkanike. Sipas dëshmive të punonjësve të bankës, dy persona të veshur me të zeza, të maskuar dhe armatosur me një kallashnikov, kanë hyrë papritur në ambientet e bankës. Njëri prej grabitësve ka kërcënuar me armë, duke i kërkuar arkëtares të jepte të gjithë shumën e lekëve, ndërsa tjetri ka marrë paratë që ishin në sportelet e bankës. Brenda pak minutash ata janë larguar pa lënë gjurmë. Mendohet se ata janë larguar në mes të pallateve të lagjes “24 Maji” dhe më pas kanë përdorur ndonjë automjet për t’u larguar nga zona. Ndërkohë policia ka mbërritur brenda pak minutash në vendngjarje, por pa mundur të bjerë në gjurmët e dy grabitësve. Uniformat blu kanë bërë rrethimin e vendngjarjes dhe vetëm pak metra nga banka janë gjetur një armë zjarri tip kallashnikov, disa rroba dhe një sasi lekësh në një çantë që mendohet të jenë të dy grabitësve. Këta të fundit kanë humbur gjurmët nëpër lagje dhe deri mbrëmjen e djeshme nuk është bërë e mundur identifikimi dhe kapja e tyre. Ekspertët e policisë kanë marrë shenjat e gishtave në vendngjarje, në armën automatike, si dhe në rrobat e sendet e gjetura të braktisura. Më pas janë shoqëruar për në komisariat, punonjësit e bankës, si dhe 5 persona të tjerë, banorë të lagjes ku ndodhet filiali i bankës. Pas marrjes në pyetje dhe dhënien e dëshmive për ngjarjen, ata janë lënë sërish të lirë. Ndërkaq, është marrë në pyetje roja e sigurisë së bankës, i cili ka deklaruar se nuk ka pasur kohë të ndërhyjë. Sipas rojës së sigurisë dhe punonjësve të bankës, fillimisht ka hyrë vetëm njëri prej grabitësve, i maskuar me rroba të zeza, kapele dhe syze të errëta. Vetëm pas pak sekondash, ka hyrë shoku i tij i maskuar dhe i armatosur. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e grabitësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›