E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Pse u lirua dhe u rikap Bushi

Dosja Ministri i Drejtësisë deklaron se ai nuk mund të ekstradohet për mungesë të marrëveshjes

Tmerri i VIP-ave, Astrit Bushi, nuk mund të dërgohet para drejtësisë spanjolle, pasi ky shtet nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e ekstradimeve me Shqipërinë. Madje, edhe dosjen në ngarkim të tij, që i është kërkuar që prej dy vjetësh, Spanja e ka sjellë në Shqipëri vetëm para një muaji. Këto janë detajet e bëra publike nga ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili është interesuar direkt për këtë çështje të rëndësishme. Gjatë një bisede për gazetën “Shqip”, ministri Nishani ka sqaruar gjithë detajet për Astrit Bushin, i cili akuzohet në Spanjë për grabitjen e një producenti shumë të njohur. Ai ka shpjeguar se ku ka çaluar çështja dhe si erdhi ndalimi i dytë i tij, vetëm për thyerje të vendimit të gjykatës dhe jo se kishte kërkesa ekstradimi për të.

Lirimi i tij dhe politika

“Astrit Bushi u arrestua nga policia shqiptare në qershor të vitit 2009, kur unë isha ministër i Brendshëm. Në atë kohë, ai ishte në kërkim, pasi në vitin 2007, Gjykata e Laçit e kishte dënuar me 2 vjet e gjashtë muaj burg për armëmbajtje pa leje. Nga ana tjetër, Spanja e kërkonte, pasi kishte vjedhur dhe dhunuar një producent dhe aktor shumë të njohur. Gjykata në Spanjë e kishte liruar, duke i dhënë pafajësi dhe në këto kushte, çështja e lirimit të tij u bë shumë problem, sa u diskutua edhe në nivelet më të larta politike”, shpjegon Nishani. Sipas tij, duke qenë se ai kërkohej nga Spanja dhe nga Shqipëria, nëpërmjet rrugëve diplomatike, ne kërkuam që të nënshkruhej një marrëveshje për ekstradimin e shqiptarëve të kërkuar drejt Spanjës dhe anasjelltas, marrëveshje të cilën e kemi vetëm me SHBA-në. “Ne ishim të gatshëm për të kryer një veprim të tillë, por Spanja nuk e bëri një gjë të tillë. Kështu, pas arrestimit të Bushit, ne kërkuam që dosja e tij spanjolle të sillej në Shqipëri dhe të dënohej sipas ligjit shqiptar për veprën penale të kryer”, deklaron ministri i Drejtësisë. Më tej, ai shprehet se me gjithë mosnënshkrimin e marrëveshjes, kjo dosje ka mbërritur në Shqipëri vetëm me 4 nëntor të këtij viti, pra pak më shumë se një muaj më parë. Por, Astrit Bushi ishte liruar që në muajin shtator, pasi gjykata kishte vendosur dënim alternativ për të, duke e lënë të vuajë pjesën e mbetur të dënimit në “arrest shtëpie”. Në lidhje me lirimin e tij, Nishani ka shpjeguar se vendimi është dhënë në muajin shtator nga Gjykata e Lezhës. “Ai ishte dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje. Fillimisht është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit me 25 vjet burg për vrasjen e një punonjësi policie. Por, Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim. Kur Gjykata e Shkallës së Parë e rimori këtë çështje e gjykoi vetëm për armëmbajtje pa leje, duke i rënë akuza e vrasjes dhe u dënua me 2.5 vjet burg. Në këto kushte, në muajin shtator u vlerësua për dënim alternativ, pasi bashkëshortja e tij ishte ankuar se nuk kishte kushte ekonomike për të mbajtur fëmijën. Kështu për pjesën e mbetur të dënimit, ai do e vuante brenda shtëpisë dhe nuk i lejohej të dilte”, shprehet Nishani.

Vonesa për dosjen e Bushit

Ndërkaq, ai shpjegon se më 4 nëntor erdhi dosja që ishte kërkuar herë pas here nga Spanja, por ky ishte i lirë. “Me qëllim që ai mos të largohej nga vendi, dosja u mbajt sekret derisa të përkthehet. Dosja ka mbi 4 mijë faqe dhe aktualisht është në proces përkthimi. Megjithatë, derisa mbaroi ky proces nuk mund të merrej masë arresti për Astrit Bushin”, shpjegon Nishani. Sipas tij, u kontaktua me policinë dhe u vendos që ai të mbahej në mbikëqyrje, me qëllim që mos të largohet. Duke qenë se besimi për policinë e Laçit nuk ishte shumë i lartë, policia mendohet se ka vendosur të mbikëqyrë Bushin me forcat speciale RENEA. “Pak ditë para arrestimit, ambasadori spanjoll ka kontaktuar me mua dhe më ka kërkuar informacion pse ishte liruar Astrit Bushi. Unë ia shpjegova se nuk mund të mbahej në qeli dhe që nuk mund të ekstradohet për shkak të mungesës së marrëveshjes. Për shqetësimin e ngritur nga spanjollët u vu në dijeni edhe Kryeministri, por ne nuk mund të ndërhynim pa mbaruar procesi i përkthimit të dosjes, veç mund ta mbanim në vëzhgim”, deklaron ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.

Arrestimi, për largim nga shtëpia

Ndërsa për arrestimin e Astrit Bushit, ministri shprehet se ka qenë i rastësishëm, pasi ai theu arrestin shtëpiak. “Ne morëm informacion se ishte larguar fillimisht dhe na u kërkua llogari për të. Më pas, dërgova shërbimin e provës në banesën e tij dhe e gjetëm aty. Madje, oficerët e shërbimit të provës bënë edhe raport për këtë fakt. Ditën e ngjarjes, ai ka dalë nga shtëpia me makinë dhe e kishte të ndaluar diçka të tillë me vendim gjykate. Në këto kushte, oficerët e RENEA-s janë urdhëruar që të ndërhyjnë dhe ta arrestojnë për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit. Veç faktit të largimit, atij iu gjet me vete edhe armë pa leje, si dhe kundërshtoi punonjësit e policisë”, shpjegon Nishani. Ndërsa për kërkesën e ekstradimit edhe nga ana e Italisë, Nishani shprehet që ai ka dalë si i implikuar në çështje të trafikut të drogës, por ende nuk ka hyrë në proces. “Pala italiane na ka njoftuar se ende nuk i ka ardhur radha dosjes së tij, nga ato që po shqyrton Prokuroria e Leçes”, tha ministri i Drejtësisë. Sipas tij, pas mbarimit të procesit të përkthimit të dosjes voluminoze, ndaj Bushit do të hapet proces i ri, por do të dënohet në Shqipëri dhe nuk do të ekstradohet në Spanjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›