E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora dhe ngricat bllokojnë rrugët e komunave malore

Temperaturat e ajrit kanë arritur -8ºC në Kukës

Veriu dhe Verilindja mbërthehen nga ngricat dhe reshjet e borës. Krejt Kukësi, Dibra janë gdhirë dje me petkun e bardhë të borës, sikundër edhe zonat malore të Qarkut të Shkodrës.

Në qytetin e Kukësit ka pasur rreth 10 centimetra dëborë dhe akull, ndërkohë që temperaturat kanë zbritur deri në minus 8 gradë Celsius. Ndërkaq kanë nisur problemet e para në lëvizjen e mjeteve kryesisht në rrugët rurale, por edhe në disa akse kombëtare. Burime të Shtabit të Emergjencës në prefekturë raportojnë se probleme më serioze janë shkaktuar në rrugën

Kukës-Shishtavec, ku në fshatin Shtrezë ka pasur rrëshqitje të tokës, që ka zhvendosur me disa metra edhe trasenë e rrugës. Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka dërguar atje mjetet e rënda dhe një grup punëtorësh, të cilët po punojnë për stabilizimin e këtij aksi. Ndërkaq kryetari Komunës së Shishtavecit, Dilaman Nela, ka thënë se rruga Shishtavecit mund të konsiderohet e bllokuar, pasi edhe me zinxhirë, nuk mund të qarkullohet. Dje janë bllokuar disa automjete dhe është dashur të tërhiqen me traktor për të kaluar pjesën e shembur të rrugës. “Ka vite që është problem segmenti i rrugës që kalon në fshatin Shtrezë dhe askush nuk na beson sa vuajmë për ta kaluar këtë rrugë”, tha ai duke kujtuar se aty një vit më parë, kishte pasur edhe dy viktima pikërisht nga rrëshqitja në akull e një traktori me goma. Ndërkaq është vështirësuar qarkullimi edhe në akset Kukës-Peshkopi, ku automjetet mund të kalojnë vetëm me zinxhirë, si dhe rruga Bajram Curri-Qafë Mali dhe Shëmri-Qafë Mali, ku gjithashtu automjetet duhet të vendosin zinxhirë dëbore. Trashësia e dëborës në Qafë të Malit arrin në rreth 40 centimetra dhe aktualisht temperaturat janë ulur ndjeshëm. Aktualisht mbeten të bllokuara për shkak të dëborës dhe akullit Komunat Zapod, Grykë Çajë dhe Arrën. Ndërkaq nuk kanë munguar problemet në furnizimin me energji elektrike kryesisht në fidrat e zonës Lekbibaj në Tropojë dhe Mamëz në Kukës. Për këtë shkak ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji edhe për qytetin e Kukësit disa orë gjatë natës, ndërsa komunat Lekbibaj, Margegaj (lugina e Valbonës) si dhe tre komuna të thella të Kukësit janë pa energji elektrike për shkak të defekteve në rrjet të shkaktuara nga stuhitë.

Borës ka krijuar probleme edhe në Qarkun e Dibrës, ku janë bllokuar tre komuna dhe ka pasur probleme me qarkullimin e automjeteve. Trashësia e borës ka arritur deri në 40 centimetra në zona të thella malore. Të izoluara kanë mbetur komunat: Lurë, Kala e Dodës e Selishtë, ndërsa numri i fshatrave të veçantë në izolim nga bora është i madh. Probleme ka pasur për lëvizjen e automjeteve, jo vetëm në rrugët dytësore të komunave, por edhe në rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë. Segmentet më problematikë të kësaj rruge, sidomos gjatë orëve të mëngjesit të djeshëm kanë qenë kthesa tek Bulkallarët në qytetin e Peshkopisë, Qafa e Qenokut, si dhe Gurët e Skënderbeut në afërsi të qytetit të Bulqizës. Mjaft nxënës fshatrash që ndjekin mësimet në Peshkopi nuk kanë mundur paraqiten dje për mungesë të qarkullimit.

Nga Qarku i Shkodrës raportohet për bllokimin nga bora të vetëm një komune, që është Iballa e Pukës, ndërsa Thethi është i izoluar prej gati një muaji për shkak të dëmtimit të rrugës.

Sulejman Dida
Hysen Likdisha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›