E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, hajdutët vjedhin Kryetarin e Gjykatës

Vlorë-Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj ka rënë pre e hajdutëve. Makina e tij është gjendur e dëmtuar mëngjesin e sotëm. Kur është nisur për të dalë në punë, Malaj ka vënë re se makina e tij ishte e hapur, përkundër asaj që kishte lënë në darkë kur e ka parkuar.

Edhe pse ka qenë makinë shtetërore në pronësi të Gjykatë së Shkallës së Parë Vlorë, mjeti tip Mercedes Benz me targa VL 15 21 A është hapur me kaçavida nga persona ende të paidentifikuar. 39 vjeçari Malaj, me funksion Kryetar Gjykate ka konstatuar se i kanë vjedhur kasetofonin e makinës mëngjesin e ditës së sotme.

Ai ka bërë kallzim penal në Prokurori, për vjedhjen dhe dëmtimin e makinës që ai dispononte. Mësohet se makina e Kryetarit të Gjykatës ka qenë e parkuar para pallatit të tij në lagjen Kushtrimi kur ka rënë pre e hajdutëve të kasetofonave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›