Fullani: Bankat japin kredi me interesa të larta
Tiranë-"Paralizimi i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore të pronësisë, mosekzekutimi i kolateralit,ndikojnë drejtpërsëdrejti në përqindjen që kredia hipotekore ka në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera”. Kështu u shpreh sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Sipas tij, sistemi ligjor duhet të parashikojë në mënyrë të qartë, sigurinë për të drejtat kontraktore dhe të drejtat e pronësisë, si garanci për mirëfunksionimin e sistemit financiar.
Duke u ndalur më konkretisht përballë këtij argumenti, Guvernatori Fullani shpjegoi se, palët jo vetëm që duhet të jenë në dijeni të këtyre të drejtave, por duhet të kenë mundësinë që t’i ushtrojnë lirisht dhe në mënyrë të plotë ato, si gjatë lidhjes së marrëveshjes ashtu edhe në rast konflikti. “Ndaj roli i pavarur i gjykatës, perceptimi i tij, efikasiteti i gjykimit dhe zbatimi i vendimit të gjykatës, janë tipare thelbësore, deformimi i të cilave ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit financiar”, u shpreh Fullani.
Disa elementë të rrezikshëm që shoqërojnë marrëdhënien bankë-kleint, janë lloji i monedhës, ecuria e çmimeve të kolateralit dhe i ashtuquajturi rrezik operacional. Megjithatë, Fullani siguroi se Banka e Shqipërisë me autoritetin e saj mbikëqyrës e detyron sistemin bankar të krijojë fonde rezervë, për çdo një lek kredi të kërcënuar.
E vetmja gjë ku Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar ndjehen të pafuqishëm, deklaroi Fullani, është në rastet e mosekzekutimit të kolateralit sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme. Dhe natyrisht këtu ai ka kërkuar mbështetjen e gjyqësorit, i cili nuk duhet t’i zvarrisë çështjet mbi kontrat e huadhënieve, ose siç njihen ndryshe kreditë e këqija.
Guvernatori referoi në takimin "Tregu bankar dhe sistemi ligjor", punimet e të cilat do të vazhdojë nga data 17-21 nëntor dhe marrin pjesë gjyqtarë, juristë, bankierë si dhe përfaqësues nga FMN.