Koordinatori i OSBE, Nishanit: Siguroni zgjedhje të lira dhe të ndershme
Koordinatori special i OSBE-së, Ëolfgang Grossruck ka vënë theksin në shfrytëzimin e të gjitha mundësive ligjore për të forcuar klimën e besimit mes forcave politike për organizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe duke përmbushur standardet ndërkombëtare. Në takimin e zhvilluar me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, Koordinantori special i OSBE-së, Grossruck u shpreh se nuk ka asnjë dyshim se për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore është bërë një punë e shkëlqyer dhe profesionale.
Ndërsa nga ana e tij, ministri i Brendshëm për sa i takon interesimit të z. Grossruck mbi pretendimet e Partisë Socialiste për mungesë transparence dhe mungesë informacioni, Nishani informoi se Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion të Partisë Socialiste dhe komisionit parlamentar Ad-Hoc çdo informacion të kërkuar duke përjashtuar vetëm rastet kur dhënia e këtij informacioni nuk ka qenë e lejuar për konfidencialitetin e të dhënave personale. Gjithashtu, ministri Nishani e njohu z. Grossruck me punën e kryer nga Ministria e Brendshme dhe strukturat e saj për përgatitjen e një infrastrukture zgjedhore të atillë që të përmbushë standardet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Duke u ndalur në këtë aspekt, ministri i Brendshëm informoi në takim për krijimin e Regjistrit Kombëtar Elektronik të Gjendjes Civile, regjistër i cili u krijua sipas modelit austriak, si një nga më të përparuarit në këtë fushë dhe nën asistencën e vazhdueshme të OSBE-së dhe Delegacionit të KE-së në Tiranë. Ndër të tjera, Nishani nënvizoi se nga ky regjistër ka buruar lista paraprake e zgjedhësve e publikuar brenda afateve të përcaktuara ligjore, katër muaj para datës së zgjedhjeve, duke i dhënë mundësinë kështu çdo zgjedhësi të verifikojë ku gjendet në listë, në cilën qendër do të votojë dhe cila është adresa e qendrës së votimit. Më tej, Ministri Nishani informoi z. Grossruck për ecurinë e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet elektronike. Ne kemi përmbushur përgjegjësitë tona për këtë proces, së pari duke ngritur kapacitetet e nevojshme teknike, ku aktualisht në terren kemi 500 stacione aplikimi, duke vendosur orare të zgjatura pune që tani shkojnë deri në 14 orë në ditë për 7 ditë të javës në shërbim të qytetarëve, së dyti duke informuar çdo qytetar mbi zhvillimin e këtij procesi jo vetëm nëpërmjet informacioneve e deklaratave zyrtare, por edhe nëpërmjet një fushate intensive publicitare, nënvizoi Nishani. Sipas tij, deri tani kanë aplikuar rreth 1.3 milion shtetas dhe mbi 800 mijë prej tyre i kanë tërhequr letërnjoftimet elektronike.