E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, kontrabanda e naftës, lirohen 6 të arrestuarit

VLORE - Gjykata e Shkallës së Parë e Vlorës, liron 6 nga 7 personat e arrestuar gjatë operacionit të koduar "Deti i pastër". Gati të gjithë personat e ndaluar në këtë operacion, janë liruar nga ana e drejtësisë, duke lënë pas hekurave vetëm njërin prej tyre. Duket se hetimi 6-mujor i Policisë, nuk i ka bindur Prokurorinë dhe Gjykatën, të cilat kanë lënë pas hekurave vetëm 50-vjeçarin Muhamet Hunda, pronar i anijes së sekuestruar "Maria Pia", si dhe personi që kishte përshtatur automjetin gjysmë furgon, me një depozitë në pjesën e pasme.

Ndërsa për 6 të ndaluarit e tjerë, drejtësia ka kërkuar hetim në gjendje të lirë, përfshirë këtu edhe efektivin e policisë kufitare. Gjashtë shtetasit janë arrestuar për veprën penale "Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë, kryer në bashkëpunim" dhe akuzoheshin për kontrabandën e naftës së importuar me anije nga Greqia dhe Italia.

Trafik që kryhej kryesisht nga anijet që përdoreshin për gjuetinë e peshkimit, duke e shitur sasinë e naftës më pas në tregun vendas. Vendimi i Gjykatës, duket se nuk u ka pëlqyer bluve të Vlorës, të cilët janë shprehur se do të vijojnë hetimin për këtë çështje pavarësisht kësaj mase.

Ndërkohë që, kohët e fundit mes Policisë dhe institucioneve të drejtësisë në këtë qytet, nuk kanë munguar tensionet, pasi blutë kanë shprehur pakënaqësi për lirimin e shumë personave, midis tyre edhe shtetasve që janë kapur në flagrancë për armëmbajtje pa leje. Po sipas uniformave blu, Drejtoria e Policisë së këtij qarku ka bërë edhe ankesa pranë drejtuesve të Prokurorisë dhe Gjykatës së Vlorës.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›