Makina përplas efektivin e policisë, në kërkim autori

Një efektiv i grupit të gatshëm është aksidentuar nga një makinë teksa ka qenë duke kryer detyrën. Ngjarja ka ndodhur në rrethrrotullimin e Doganës në kryeqytet, ku Eduart Tarja 30 vjec, efektiv i grupit të gatshëm në Tiranë ka qenë duke ngritur postobllokun për kontrollin e automjeteve kur është përplasur nga një makinë, e cila pas ngjarjes është larguar me shpejtësi në drejtim të Kamzës, duke mos ndaluar.
Menjëherë kolegët e efektivit të policisë e kanë dërguar 30-vjecarin në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe sipas bluzave të bardha ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa nga ana tjetër policia ka nisur hetimin për të bërë të mundur verifikimin e automjetit që aksidentoi policing si dhe arrestimin e drejtuesit të mjetit. Ndërkohë që kohët e fundit policia ka shtuar kontrollet për automjetet me xhama të zinj dhe pa dokumente për parandalimin e ngjarjeve kriminale.