E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, Topallit: Të mos na errësojnë ethet elektorale

Kryetari i LSI, Ilir Meta, i ftuar dje në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në NEWS 24, u shpreh rreth situatës politike, pozicionimin e LSI-së në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, vlerësimin e tij për rolin e Nishanit si President, integrimin e vendit, si dhe shitjes së “Albpetrol”.
ANSA ka bërë të ditur, se Shqipëria do ta marrë statusin kandidat, por me kusht, zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në 2013-ën. Pritet të ketë tensione në zgjedhje?
Hapja e negociatave është normale të shoqërohet me disa kushte, të cilat do të gjykohen nga ana e KE dhe në këtë drejtim unë nuk do ta përjashtoja edhe rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme si një moment kyç për plotësimin e standardeve demokratike. Lajmi i ri që ne shpresojmë është një opinion pozitiv për dhënien e statusit, sepse Shqipëria i ka plotësuar pothuajse të gjitha detyrimet. Mbetet reforma parlamentare, e cila në bindjen time pothuajse është tërësisht e mundshme të miratohet këto dy ditë. Natyrisht ka ende elementë të tjerë që përfaqësojnë një opinion pozitiv, sikundër do të ishte edhe miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë. Absolutisht që është bërë një progres i rëndësishëm, janë hedhur hapa madhorë, ndaj mendoj se dhënia e statusit është e merituar.
Votimi i dekreteve dhe që fjala e shefit të opozitës në Kuvend të jetë sa ajo e kryeministrit, janë kushtet e PS-së për reformën elektorale. Si i gjykoni?
Të dyja palët kanë mundësi të bien dakord për këto dy pika.
Keni një formulë?
Nuk ka rëndësi formula. E rëndësishme është që opozita ka të drejtën për të reaguar gjithmonë pas fjalës së kryeministrit, ndaj nuk mendoj se ka një mungesë tolerance nga ana e mazhorancës.
Si e gjykoni kushtin e PS-së për Gjykatën e Lartë me çështjen e qarkut të Fierit?
Ajo që mund të them është që nuk bëhet fjalë thjesht për një vendim, por për shumë vendime gjykatash. Pra është një çështje komplekse. Në këtë drejtim absolutisht palët kanë të drejtën e tyre të kërkojnë zbatimin e vendimit të gjykatave. Ajo që kam vënë re është se dhe vetë kryeministri Berisha është në pozicion parimor për zbatim të vendimit të gjykatave. E rëndësishme është që palët të kenë vullnetin për një verifikim të plotë të të gjithë vendimeve dhe të gjejnë një zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje. Por të vendoset kjo si një kusht i panegociueshëm, mendoj se nuk është e shëndetshme dhe nuk është e dobishme. Absolutisht PS ka të drejtën e saj të kërkojë zbatimin e vendimit të gjykatave, por kjo nuk lidhet me ligjin në fjalë dhe është diçka që kërkon kohën e saj.
Si e vlerësoni procesin e privatizimit të “Albpetrol”-it?
Oferta është shumë e rëndësishme. Po aq e rëndësishme është që të garantohet një perspektivë e këtij sektori. Por më e rëndësishme se gjithçka është transparenca. Ka qenë një proces jashtëzakonisht transparent dhe është një proces që duhet të vazhdojë deri në fund.
Besoni se do mbyllet deri në fund?
Kjo nuk ka të bëjë me besimin tim, por me ecurinë e procesit.
Si duhet të përdoren këto 850 milionë euro?
Kjo është një çështje që i takon qeverisë në bazë të prioriteteve të saj. Fondi duhet menaxhuar me përgjegjshmëri në interes të publikut.
Si i gjykoni 100 ditët e para të presidencës së Nishanit?
Është ende herët për të bërë një vlerësim të veçantë, mesazhet e tij publike janë konstruktive, kanë ton të qartë bashkëpunues e mirëkuptues. Është e rëndësishme që të vazhdojë ky drejtim dhe që presidenca të jetë pikë takimi e bashkëpunimi për të gjitha palët e institucionet.
Kur mbaron mandatin i kryeprokurores sipas jush?
Ne kemi Gjykatë Kushtetuese dhe në rast se ekziston një debat për këtë çështje, ajo mund të interpretohet nga Gjykata Kushtetuese. Sidoqoftë, kjo nuk është një çështje që është në interesin tim, por të Presidentit. Besoj se Presidenti do ta mendojë mirë këtë iniciativë në drejtim të nisjes së një procesi solid nga pikëpamja kushtetuese.
Keni një identikit të Prokurorit të Përgjithshëm?
Për mendimin tim, duhet të jetë një njeri me integritet të provuar më parë. Nuk duhen bërë eksperimente, sepse është e lehtë të ndërrosh një ministër, por në çështjen e prokurorit ka një rëndësi tjetër, në forcimin e shtetit, luftën kundër krimit e korrupsionit. Kështu që për mua nuk është i rëndësishëm thjesht emri dhe mënyra sesi vjen, por të jetë një njeri me integritet, që të garantojë pavarësinë e institucionit nga politika.
Nëse Nishani ju kërkon ndonjë emër?
Nuk kam ndonjë emër dhe nuk do të jap ndonjë emër, sepse unë besoj se Prokurori i Përgjithshëm është përgjegjësi e Presidentit. Natyrisht, edhe e parlamentit ku dhe unë bëj pjesë, që do të gjykojë mandej zgjedhjen e Presidentit.
Çfarë detajesh do të bëni publike nga takimi me Ramën?
Nuk ka shumë vend për detaje. Ne kemi qenë edhe në takime të tjera të përbashkëta, ku kemi patur rastin të shkëmbejmë ide dhe mendime.
Keni diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm?
Të vetmet çështje për të cilat shkëmbyem mendime ishin ato që përmenda, reforma e procedurave parlamentare, njëkohësisht çështja e Fierit, ligji për mediat, etj.
Gjetët një konsensus?
Një vullnet. Unë qëndrimet e mia për këto çështje i bëra të ditura edhe këtu.
Ju shkuat në Kongresin e PSE si përfaqësues i qeverisë, ndërsa Rama si i opozitës. A morët ndonjë mesazh për të filluar bashkëpunimin?
Shumë prej këtyre forcave politike bashkëqeverisin me forca të djathta konservatore në vendet respektive.
A u diskutua për një koalicion të mundshëm PS-LSI apo për zgjedhje të parakohshme?
Hamendësimet janë pjesë e krijimtarisë së cilitdo dhe kjo është normale. Ajo për të cilën ne shkëmbyem mendime janë ato. Integrimi, mbetet prioriteti i LSI-së.
Topalli deklaroi se PD i fiton zgjedhjet edhe pa LSI-në...
Më duket një deklaratë normale, sepse çdo forcë politike, aq më tepër PD apo PS, do synonin të fitonit të vetme zgjedhjet dhe nuk shikoj diçka tronditëse. Ne kemi dëgjuar edhe parti të reja që do fitojnë të vetme.
Kur do e merrni vendimin për pozicionin tuaj në zgjedhje?
Çdo vendim merret në kohën e duhur dhe absolutisht që ky vendim do të diskutohet në fund të pranverës nga forumet e LSI.
Deri në pranverë, nuk do të ketë të papritura?
Nuk shoh ndonjë arsye serioze për krizë qeveritare. Shoh plot arsye për përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes.
Nëse nuk arrihen këto përmirësime, ju do qëndroni deri në fund të pranverës?
Ne nuk kemi vullnetin për të parë krizë, por për të marrë arritje.
Nëse i referohemi sërish deklaratës së Topallit, sipas jush, pa LSI, PD i fiton zgjedhjet?
Nuk ndryshon asgjë ajo çka them unë sot. E rëndësishme është që çdo forcë politike, pavarësisht nga ambicia e saj për të fituar, të shtojë ambiciet për të ndihmuar vendin të ecë më shpejt në procesin e integrimit europian, të ulin dozën e konfliktualitetit të panevojshëm që ul efikasitetin e bashkëpunimit dhe rezultatet e reformave që priten. Ethet elektorale janë normale, por ato nuk mund të errësojnë arritjet e Shqipërisë dhe të ngadalësojnë përmbushjen e kushteve në mënyrë që të merret statusi i vendit kandidat. Situata ekonomike ka nevojë për një përmirësim të klimës së biznesit, për një raport sa më të drejtë mes biznesit dhe institucioneve, njëkohësisht mendoj se përshpejtimi i projekteve mbetet gjithmonë përparësi. Kërkohet rritje e energjive në këtë drejtim.
A ka ardhur momenti të ndryshojë përbërja e qeverisë?
Është e drejtë e kryeministrit, nuk kam asnjë arsye për të bërë vlerësime konkrete. Gjërat mund të ndryshojnë pa ndryshuar njerëzit.
A jeni në momentin që po reflektoni për koalicionet e ardhshme?
Ne jemi në një koalicion qeverisës që vazhdon të funksionojë pavarësisht hamendësimeve. Ndërsa për çështjen e zgjedhjeve të 2013-ës, ne nuk kemi një qëndrim, sepse nuk ka ardhur koha për të pasur një qëndrim. Besoj në muajin prill mund të ketë një vendim.
Marrja e statusit kandidat, a është një stacion për një ripozicion të LSI-së? Si e mendon LSI bashkëpunimin përtej 2013-ës?
Ne kemi një qëndrim, që do të jemi më pranë bashkëpunimit me ato forca që do bëjnë përpjekje më të mëdha për integrimin e Shqipërisë.
Kur të merrni vendimin, do jenë të tria vendimet në tavolinë, me Berishën, me Ramën dhe vetëm?
Ende nuk ka asgjë, nuk ka as tavolinë. Përgjigjen do ta japin forumet e LSI.
Po pjesëmarrjen e LSI në një pol të tretë, - ide kjo e hedhur nga kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, - ku të merrni pjesë ju dhe partia e Topit?
Nuk mund të përjashtoj asgjë, por edhe kjo është një çështje që duhet të vlerësohet në momentin e duhur.
Akuzat e Topit ndaj Berishës, ju kujtojnë akuzat tuaja në adresë të Nanos?
Janë çështje që janë zhvilluar në kohë të ndryshme dhe në rrethana jo të njëjta.
Po mund të kenë efekt të njëjtë?
Unë u përjashtova nga PS, nuk u largova.
Mund të konsiderohen të normalizuara marrëdhëniet tuaja me z.Rama?
Nga ana ime, absolutisht që është një komunikim i cili ka të bëjë me atë etikë që duhet të jetë në raportet mes politikanëve.
Komunikoni normalisht, përveç këtyre daljeve publike?
Janë komunikime të pakta, por mendoj se janë konstruktive. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›