Vlorë, lule në varrezat e Otrantos
VLORE - Familjarët e viktimave të tragjedisë së Otrantos kanë vënë lule dje mbi varret e bijve të tyre. Gra të veshura me të zeza iu drejtuan varrezave të qytetit në ditën që shënonte 12 vjetorin e mbërritjes së trupave në Vlorë pas tragjedisë së ndodhur më 28 mars 1997. Në anijen ushtarake “Katri i Radës” u imbarkuan 115 shqiptarë, në kërkim të një jete më të mirë në Itali. Pas rreth 4 orësh lundrim, anija mbërriti në kanalin e Otrantos, aty ku edhe ndodhi tragjedia. Të mbijetuarit deklaruan se një goditje nga pas e anijes luftarake italiane “Sibila”, tronditi anijen e tyre. “Katri i Radës” pas pak minutash filloi të mbytej. Dhjetëra gra e fëmijë nuk mundën t’i mbijetonin kësaj tragjedie. Për pasojë, 81 persona u mbytën, nga të cilët 57 janë gjetur, ndërsa 24 të tjerë edhe sot rezultojnë të humbur. Tragjedisë i mbijetuan vetëm 34 persona. “Unë jam 80 vjeçe, por nuk do të vdes pa marrë dënimin ata që shkaktuan këtë tragjedi”, shprehet një nënë, që humbi vajzën e saj me gjithë nipin 13 vjeç. q.b