Qeveria pakëson fondet për rrugët dhe banesat, i rrit për ujësjellësit
Në prag të fundtvitit përmes një vendimi qeveria ka kryer një rishpërndarje të fondeve buxhetore. Qeveria ka miratuar dje vendimin për rishpërndarjen e fondeve buxhetore. Sipas këtij vendimi të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, qeveria ka pakësuar fondet për rrugët dhe banesat sociale dhe i ka rritur për ujësjellësit. Sipas vendimit të qeverisë, programit buxhetor “Ujësjellës–Kanalizime” do t’i shtohet një fond prej 248 milionë lekë për investime. Programit të “Rrugëve nacionale”, nga fondi i investimeve do t’i pakësohen 200 milionë lekë. Programit të “Strehimit e urbanistikës” t’i pakësohet fondi prej 30 milionë lekësh. Si dhe programit të “Transportit ajror” t’i pakësohet fondi prej 2 milionë lekësh. Programi të “Transportit detar” t’i pakësohet fondi prej 16 milionë lekësh. Ndryshe nga vitet e kaluara, për këtë vit dhe vitet e ardhshme qeveria ka si prioritet ujësjellësit dhe kanalizimet. Po dje qeveria ka miratuar edhe disa ndryshime për garancinë doganore. Sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria në çdo rast, hyrja e mallrave në regjimin e magazinimit doganor duhet të mbulohet me garanci, sipas njërës prej formave të garancive, të përcaktuara në Kodin Doganor. Konkretisht, depozitë në të holla, kur shuma e kërkuar si garanci nuk e kalon vlerën 10 milionë lekë. Kur shuma e kërkuar si garanci e kalon vlerën e 10 milionë lekëve, garantimi do të bëhet përmes disa formave. “Së pari, depozitë në të holla, ose depozitë në të holla deri në vlerën 10 milionë lekë dhe pjesa e mbetur, deri në masën e kërkuar të garancisë, mund të plotësohet përmes njërës nga format e garancisë. Dorëzani, ose mall gjendje (stok), në kushte ruajtjeje e sigurie (plumbosje doganore) brenda mjediseve të miratuara, me kusht që vlera e tij në çdo kohë të jetë jo më pak se trefishi i shumës së kërkuar si garanci”, thuhet në vendimin e miratuar nga qeveria.