Vlorë, maskat futen në banesë
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Dy të rinj, me maska dhe të armatosur terrorizojnë një çift të moshuarish në Nartë të Vlorës.Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 të së hënës, kur bashkëshortët Th. Papa dhe Q. Papa ishin në gjumë. Sipas policisë, autorët janë Dritan Maçaj, 26 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini” në Vlorë dhe Gentian Luzaj, 35 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku” të qytetit. Mësohet se dy të rinjtë kanë udhëtuar nga Vlora në drejtim të Nartës me mjetin tip “Rover”, ngjyrë blu me targa VL 1906 A. Ata ishin informuar më parë se çifti jetonte i vetëm pasi kishin fëmijët emigrantë. Sipas policisë, Maçaj dhe Luzaj, kanë shkuar në Nartë me automjetin e tyre të maskuar dhe të armatosur. Mbasi kanë parkuar në anë të rrugës, ata janë futur në banesën e Th.Papës. Bashkë me bashkëshorten e tij, ai është ndodhur në gjumë në momentin kur grabitësit kanë hapur derën e jashtme me anë të pincave dhe të një leve. Me armë në dore, e cila pas hetimeve paraprake rezultoi se e posedonte Gentian Luzaj, grabitësit kanë kërcënuar çiftin që u zgjua i tmerruar. Duke i qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit, djemtë iu kanë kërkuar paratë e fëmijëve emigrantë, që familja Papa kishte në banesë. Por ndonëse nën kërcënimin e armës, bashkëshortët kanë kundërshtuar dy grabitësit deri në përleshje me ta. Si pasojë janë lënduar lehtë dy të moshuarit si dhe njëri nga autorët, Gentian Luzaj. Pasi kanë hasur në rezistencë të çiftit Papa, grabitësit janë larguar duke dalë në rrugën kryesore të fshatit Nartë, ku kishin lënë edhe mjetin e tyre. Menjëherë pasi ata u larguan, të zotët e shtëpisë sinjalizuan policinë, e cila mbërriti në vendngjarje duke marrë deponimet e tyre. Pas marrjes së të dhënave të dy grabitësve, policia nisi operacionin për kapjen e tyre. Rreth 30 minuta në ndjekje të tyre, në afërsi të plazhit të vjetër, pranë portit, është gjetur automjeti me të cilin ata kishin lëvizur. Pas kontrollit, blutë gjetën në të një armë gjahu çifte teke e markës Baikal, me nr. 149927, e kalibrit 12 mm, dy maska me ngjyrë të zezë, një thikë dhe tre fishekë çifteje. Të gjitha sendet e gjetura dhe automjeti tip Rover, në pronësi të Gentian Luzaj, u sekuestruan nga blutë. Në sajë të veprimeve të mëpasshme hetimore, policia arriti të lokalizojë edhe vendndodhjen e autorëve të kësaj grabitjeje që mbeti në tentativë, të cilët u arrestuan. Ata u akuzuan për veprat penale të “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Por të rinjtë nuk e kanë pranuar akuzën, duke pretenduar se nuk mbanin mend se çfarë veprimesh kishin kryer sepse kishin qenë të dehur.