Shkojnë për t’u stërvitur, futbollistët gjejnë kufomën
MAMURRAS - Policia e Mamurrasit u sinjalizua dje pasdite për një kufomë në një gropë uji, në afërsi të fushës së futbollit të këtij qyteti. Kanë qenë futbollistët e ekipit të qytetit, të cilët teksa do të futeshin në fushë për t’u stërvitur, kanë parë trupin e të riut pa jetë në një pellg. Ata sinjalizuan policinë, e cila nuk vonoi të mbërrinte në vendin e ngjarjes. Janë dashur disa orë, deri në identifikimin e kufomës. Sipas policisë, ai është 33-vjeçari Lulzim Mallkuqi. Viktima mësohet se kishte probleme me shëndetin mendor, ndërsa njihej në qytet si i alkoolizuar. Pikërisht ky i fundit dyshohet të jetë edhe shkaku që i ka marrë jetën të riut. Burime të policisë bënë të ditur se pas këqyrjes së kufomës, nuk u konstatuan shenja dhune apo plumbi. Për të bërë veprime sa më korrekte për zbardhjen e ngjarjes, policia kërkoi ndihmën e zjarrfikëses, e cila shkoi në vend dhe boshatisi ujin që ndodhej në gropë. Më pas u bënë veprimet e duhura procedurale, nga ku rezultoi se i riu nuk ishte viktimë e ndonjë atentati. Megjithatë, blutë bënë të ditur se kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e vdekjes se Mallkuqit. r.n