"Financial Times": Shqipëria në BE pas vitit 2015
Shqipëria mund të integrohet në Bashkimin Evropian në intervalin kohor mes viteve 2015-2020. Në këtë konkluzion arrin gazeta prestigjioze "Financial Times" në analizën që i bën qasjes së vendeve të Ballkanit në procesin integrues në strukturat evropiane. Viti 2009 parashikohet të jetë i rëndësishëm, shkruan gazeta, pasi në dhjetor Bashkimi Evropian mund të shikojë Kroacinë duke kompletuar etapën e bisedimeve, Turqinë duke bërë një progres dhe Maqedoninë duke u përgatitur për të startuar negociatat për anëtarësim. Vendet e tjera të rajonit, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia do të përfundojnë procedurën e aplikimit për vend kandidat. "Ata që thonë se ne po nxitojmë në zgjerim, nuk e dinë se për çfarë po flasin", citohet të thotë për FT një zyrtar i ngarkuar të merret me zgjerimin. Sipas analizës, Kroacia ka shansin të pranohet në union në vitin 2011 në rastin më të mirë. Për pjesën tjetër është shumë e vështirë të thuhet një datë hyrjeje. Nisur nga preferencat e Bashkimit Evropian për pranim në grup dhe jo një nga një, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria mund të bëhen pjesë e bashkimit në të njëjtën periudhë 2015-2020. Sakaq, për Turqinë, askush nuk mund të thotë me siguri një përgjigje. Gjithsesi, shumë çështje mbeten për t‘u sqaruar deri në këtë moment. Integrimi i Kroacisë do të hasë në një problem që lidhet me konfliktin që ky vend ka me Slloveninë. Brukseli është i alarmuar për zgjimin e ndjenjave nacionaliste në Kroaci dhe Slloveni çka mund ta kalojë çështjen në një problem evropian. Një prej mundësive që pritet të ofrohet është krijimi i një grupi ekspertësh të drejtuar nga Martti Ahtisaari, që do përgatisin terrenin për të mundësuar avancimin e Kroacisë drejt integrimit në BE. Dobësia e institucioneve të shtetit në raport me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar mund të përbëjë problem për vendet e rajonit në rrugën e tyre integruese. Rruga e Serbisë mund të errësohet nisur nga paaftësia për të arrestuar gjeneralin famëkeq të luftës, Ratko Mlladiç. "Financial Times" thotë se në rastin e Maqedonisë rruga integruese duket e vështirë nëse nuk gjendet një zgjidhje me Greqinë sa i takon emrit zyrtar të këtij shteti. Gjithsesi, situata në raport me perspektivën zgjeruese duket të jetë komplikuar pas referendumit në Irlandë dhe kundërshtimit të traktatit të Lisbonës. Kjo e detyroi Francën dhe Gjermaninë të deklaronin bllokimin e zgjerimit derisa traktati i Lisbonës të mund të ratifikohej. "Kur ekonomia bie, njerëzit priren të mbyllen në vetvete e të thonë: Jo më zgjerim, le të zgjidhim fillimisht problemet tona", thotë një funksionar i Bashkimit Evropian.