NATO, Franca ratifikon protokollin e Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë njoftoi dje se Senati francez ratifikoi në unanimitet protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Menjëherë pas ratifikimit të protokollit nga Asambleja Nacionale, edhe anëtarët e senatit francez dhanë njëherësh votën e tyre pro anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ashtu siç kryetari i Senatit të Francës, Larsher, ia kishte premtuar drejtuesve të shtetit shqiptar. Në letrën e saj drejtuar kryetarit të Senatit francez, Gérard Larcher, Kryetarja e Kuvendit e falënderoi për angazhimin e tij personal, për përfshirjen në axhendën e Senatit dhe aprovimin e këtij protokolli, brenda një kohe të shkurtër. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për senatorët francezë, për mbështetjen dhe besimin e tyre ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të merituar anëtarësimin në NATO. Topalli pati një bisedë telefonike me Bernard Fournier, kryetar i Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri në Senatin francez të cilin e falënderoi për kontributin e tij dhe theksoi se ratifikimi i këtij protokolli është një tregues i përkrahjes së vazhdueshme që ky vend mik i ka dhënë Shqipërisë që ajo të rreshtohet si anëtare me të drejta të plota të NATO-s, krah vendeve të tjera të kësaj familjeje, me të cilët ndan të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë.