Qeveria përgatit manipulimin e zgjedhjeve, 400 mijë shqiptarë rrezikojnë të mos votojnë

Shqetësimi i socialistëve për çështjen e pajisjes së shtetasve më kartat e identitetit vërtitet rreth manipulimit të procesit zgjedhor, pasi Partia Demokratike nuk tregon numrin real të qytetarëve që kanë aplikuar dhe të atyre që nuk janë pajisur ende më letërnjoftimet elektronike. Ndërkaq, nisur nga shifrat e bëra publike deri më tani, përllogaritet se rreth 30 % e shtetasve shqiptarë pa pasaportë do të mbeten pa votuar në zgjedhjet e 28 qershorit.
Në shkresën e Ministrisë së Brendshme të ditës së diel drejtuar Partisë Socialiste sqarohej se deri tani rezultojnë rreth 418 956 shtetas nga grupi i atyre pa pasaportë që kanë aplikuar, ndërkohë që në total janë rreth 1.149 211 shtetas që kanë aplikuar për karta identiteti. Ndërkohë, gjithmonë sipas Ministrisë së Brendshme, pritshmëria për votuesit pa pasaportë dhe që kanë aplikuar deri më 29 Maj 2009 është më shumë se 460 000 votues. Ashtu siç shihet nga shifrat e mësipërme, shqetësimi i socialistëve, përsa përket shtetasve pa pasaportë që kanë aplikuar, është mëse i drejtë. Nëse kanë aplikuar deri tani sipas MB rreth 460 mijë shtetas pa pasaportë, nuk dihen sesa shtetas janë pajisur me karta identiteti. Sipas burimeve të sigurta, nga shifra e mësipërme janë rreth 260 mijë persona të pajisur me karta identiteti. Pra, nëse bëjmë llogarinë e thjeshtë me shifrën totale të personave pa pasaportë, e cila është rreth 700 mijë, i bie që rreth 450 mijë persona të jenë të papajisur me karta identiteti. Pra në zgjedhjet e ardhshme rreth 400 mijë shtetas rrezikojnë të mos të votojnë. Po të llogarisim edhe trukun e qeverisë që ka pajisur militantët e saj me karta identiteti, i bie që procesi zgjedhor të paracaktojë fituesin meqenëse 30 përqind shtetasve nuk do lejohen të marrin pjesë në votime. Nisur nga ky fakt, Partia Socialiste shfaq frikën e manipulimit të zgjedhjeve. Nëpërmjet Islamit, PS-ja ka denoncuar vazhdimisht procesin e manipulimit të zgjedhjeve, madje edhe rastet kur zyrtar dhe biznesmenë të PD-së, kanë pajisur mbështetësit e kësaj force më kuponë dhe karta identiteti falas, me qëllim që të marrin pjesë në votime. Ky fenomen u shfaq hapur në Durrës. Ndërkohë, sipas PS-së ka mjaft raste të tjera në mbarë vendin ku PD-ja po pajis me karta demokratët, duke lënë jashtë socialistët. Sipas tyre, Berisha u ka dhënë urdhër vendorëve që të pajisin me çdo kusht simpatizant e PD-së para zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke qenë se Partia Socialiste nuk është në pushtet dhe nuk ka mundësi financiare si PD-ja, ajo e ka të pamundur të pajisë mbështetësit e vet ashtu siç po bën e djathta, ndaj ka zgjedhur rrugën ligjore duke kërkuar numrin real të shtetasve që nuk janë pajisur me karta. Ndërkaq, duke u mundur të fshehë manipulim,sipas PS-së, Ministria e Brendshme ka falsifikuar informacionet zyrtare mbi të dhënat në lidhje me procesin e pajisjes me kartat e identitetit. Si rrjedhojë, PS-ja ka bërë një kallëzim penal me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të informacioneve zyrtare, duke mashtruar opinionin publik dhe ndërkombëtarët. Partia Socialiste i ka kërkuar me vendosmëri MB-së dhe qeverisë. Listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje të votuesve me pasaportë, kjo e dhënë duhet të jetë e përditësuar me të dhënat deri në datën 28 maj 2009; nuk kërkojmë që në këtë listë votuesish të jepni asnjë të dhënë konfidenciale që mund të binte ndesh me mbrojtjen e të dhënave personale. Ne kërkojmë listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje të 1 013 359 aplikantëve për letërnjoftimi, pikërisht atë shifër që deklaroi Ministri në konferencën për shtyp të datës 29 maj 2009. Listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje të të gjithë aplikantëve që kanë marrë në dorë letërnjoftimin, të përditësuar me të dhënat e datës 28 maj 2009, ka deklaruar Islami.