E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektim ne burgje, gardianët përgjojnë gratë

Nga Gerti Xhaja
Avokati i Popullit inspekton Burgun e femrave 325 dhe atë të Kosovës në Lushnje. U konstatua se ne ta nuk ka banjo dhe as ujë. Madje gardianët u "përgjojnë" bisedat në takimet me familjarët 

TIRANE -Në Burgun 325 në Tiranë, femrave të burgosura u mungojnë banjot për të kryer nevojat personale. Flenë nga 7 persona në dhomë, me dyshekë të vendosur në dyshemetë pa pllaka. Ndërsa gardianët u "përgjojnë" bisedat në takimet me familjarët dhe në të vetmen kabinë telefoni. Po kështu, në Burgun e Kosovës në Lushnjë ka mungesa të banjove, probleme me lagështirën, ndërsa në katet e sipërme të godinës numër 2, rrezikon të bjerë suvaja e tavanit. Lajmi konfirmohet nga zyra e Avokatit të Popullit, e cila javën që sapo kaluam u ka dërguar dy raportet përkatëse drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Në raport shtrohet edhe shqetësimi i të dënuarve se në ambientet e të dy këtyre burgjeve u shiteshin karta të telefonisë fikse dhe produkte ushqimore me çmime mjaft më të larta se vlera reale. Një ndër problemet kryesore për të cilin zyra e Avokatit të Popullit ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme, është transferimi nga Burgu 325 për në spitalin e burgut të 13 të burgosurave me sëmundje psikike, sidomos për 5 prej tyre, të cilat vuajnë nga skizofrenia. "Ky ambient nuk mundëson që të sëmurëve mendorë t'iu ofrohet një shërbim i specializuar, konform parametrave të kërkuara, duke lejuar kështu që shpesh ata të jenë burim konflikti edhe për të tjerët", -thuhet në raport. Inspektimet janë kryer në 31 tetor në Burgun e Kosovës në Lushnjë, dhe në 12 nëntor në Burgun 325, në lagjen "Ali Demi" në Tiranë. Në raporte, komisionerët e Avokatit të Popullit janë shprehur se kanë gjetur mirëkuptimin e drejtuesve të burgjeve në kryerjen e kontrolleve dhe njohjen me dokumentacionet e kërkuara.
Burgu 325
Në Burgun 325, mësohet se kishte një gjendje të rënduar të furnizimit me ujë të pijshëm të të dënuarve, që duhet të shërbente edhe për nevoja personale dhe pastrimi. Ndërsa kishte vetëm 7 banjo për 110 gra të dënuara, që i bie 15 gra për çdo tualet. Gjithashtu, në Burgun 325, në periudhën kur është kryer inspektimi ishin pezulluar të gjitha llojet e lejeve, për shkak të ndryshimit të drejtoreshës. Në ambientet ku zhvilloheshin takimet me familjarët, oficerja rrinte prezent duke dëgjuar bisedat e tyre dhe kjo, sipas komisionerëve të Avokatit të Popullit është në kundërshtim me nenin 41 të ligjit 8328, dt.16.04.1998, "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim, ku citohet se: 'Takimet zhvillohen në vende të veçanta nën kontroll shikimi dhe jo dëgjimi nga personeli mbikëqyrës.
Burgu i Kosovës
Në momentin e inspektimit numri i të dënuarve në Burgun e Kosovës ishte 320, ndërsa për dy godinat e vetme dhe të vjetra, kapaciteti është 176 të dënuar. Ndërkohë, i binte që 1 banjo të shfrytëzohej nga 21 të dënuar. Në Burgun e Kosovës në Lushnjë, të dënuarve iu ofroheshin çmime të larta të kartave telefonike fikse. Ky problem ekzistonte edhe për disa produkte ushqimore, ku cilësia nuk justifikohej me çmimet e ofruara. Në raport thuhet edhe se "Avokati i Popullit gjykon se një çështje tjetër e mprehtë që kërkon të mbahet në konsideratë dhe të ngrihet si problem nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, por edhe nga Ministria e Drejtësisë, është dhe përmirësimi i cilësisë së rrugës që lidh Burgun Kosovë e Lushnjës me rrugën nacionale Lushnjë-Berat (gjithsej 7km)".

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›