Vlorë, prishja e ndërtimeve pa leje, policia konfrontohet me banorët
Në orët e para të ditës së djeshme, Policia Bashkiake e Vlorës e mbështetur edhe nga uniformat blu të komisariatit të policisë kanë nisur një aksion për prishjen e disa ndërtimeve buzë bulevardit Vlorë Skelë, përballë stadiumit të qytetit Flamurtari. Mirëpo aty kanë hasur në kundërshtimin e familjarëve të një banese, të cilët pretendonin se kishin dokumente të plota për një banesë dhe se një banesë tjetër ishte në proces legalizimi dhe nuk duhej prishur derisa të vinte përgjigja nga ALUIZNI.
Pas prishjes së një ndërtese dy katëshe fare pranë bulevardit buldozeri i policisë bashkiake iu sul murit rrethues të ndërtesës në fjalë ku kanë hasur në rezistencën banorëve të saj. Ata kanë marrë edhe një adoleshente të paralizuar dhe e kanë vendosur përpara banesës, ku kanë qëndruar edhe vetë. Pronari i ndërtesës dhe një lokali pranë Qemal Fetahu nuk ndodhej aty sepse prej disa ditësh ai është i paraburgosur për një arsye tjetër por në emër të tij janë paraqitur të afërm të tij që me dokumente në duar kanë treguar se një pjesë ndërtimi ka qenë me leje që nga komiteti ekzekutiv I viteve 50 dhe një pjesë tjetër është në proces legalizimi dhe pritet vendimi prej andej. Po ashtu ata kanë pretenduar se është hapur edhe një proces gjyqësor për këtë qëllim dhe të pritet vendimi i gjyqësorit. Forcat e policisë kanë tentuar disa herë të ndërhyjnë për të bërë të mundur largimin e familjarëve që po mbronin banesën nga mosprishja por nuk kanë mundur dot. Dukej se edhe ato nuk ishin shumë të vendosura në vendimin e tyre. Për orë të tëra të dy palët kanë qëndruar në pozicionet e tyre duke qenë edhe nën kuriozitetin e shumë qytetarëve që u grumbulluan menjëherë pranë kësaj prishjeje sepse aty ndodhet edhe bulevardi kryesor duke mos marrë asnjë vendim. Familjarët janë shprehur se nuk do të lëvizin prej aty ndërkohë që forcat e policisë, pas tentativave të para për largim të tyre me forcë, kanë qëndruar më së shumti indiferent për orë të tëra pranë fadromës që më kot priste urdhrin për të filluar prishjen. Familjarët janë shprehur se prishja bëhet për të bërë aty një ndërtim shumëkatësh pallat banimi ndërkohë që drejtuesit e policisë ndërtimore janë shprehur se prishja bëhej pas vendimit të KRRT për këtë ndërtim sipas të gjitha kritereve teknike.