E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati, pa muze historik

Prej 10 vitesh godina është privatizuar, ndërsa shumë fonde kanë humbur

Berati, tashmë me statusin e pasurisë botërore mbrojtur nga UNESCO, është një destinacion turistik për çdo të huaj që mbërrin në Shqipëri. Muzetë e këtij qyteti janë po ashtu pjesë e turizmit kulturor, por jo të përjashtuar nga problemet. Aktualisht, Berati ka funksionalë dy muze: Muzeu Etnografik i vendosur në lagjen “Magalem” dhe muzeu ikonografik “Onufri” i vendosur në lagjen “Kala”. Për nga vetë emri, në të parin janë ekspozuar veshje dhe objekte që ndërtojnë traditën etnografike të këtij qyteti, kurse në të dytin janë ekspozuar koleksione të rëndësishme ikonash, të cilat datojnë që nga shekulli XVI. Të dy këta muze janë të frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj veçanërisht në muajt e fluksit turistik dhe kanë një strukturë që kujdeset për fondet dhe mirëmbajtjen e tyre. Por prej më shumë se dhjetë vjetësh Berati nuk ka një muze historik. Që prej vitit 1997, godina u është dorëzuar pronarëve, ndonëse atëkohë pati kundërshtime nga pushteti lokal, ndërsa ato pak objekte dhe dokumente që kanë mbetur ruhen në kuti kartoni. Pjesa më e madhe e tyre ka humbur apo janë vjedhur dhe sot nuk mund të flitet për vendndodhje të saktë të tyre. Ndonëse një turist mund të vizitojë lagjet historike, mund të njihet me vlerat kulturore të këtij qyteti, nuk përfton dot një histori të këtij qytetërimi. Në këtë muze kanë qenë të ekspozuara dokumente me vlerë të Luftës së Dytë Botërore, të cilat në ditët e sotme mund t’i nënshtroheshin një klasifikimi për të shmangur ngjyrimet politike, po në këtë muze gjendej pavijoni i historikut të arsimit në Berat dhe trevat e tij, si dhe mjaft dokumente dhe eksponate unikale të figurave të shkollës shqipe. Edhe nëse do të kishte një tjetër iniciativë që ky muze të rihapej sërish, duhet menduar më parë për gjetjen e një godine. Deri më tani, nuk flitet asgjë në këtë drejtim.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›