Qarku i Lezhës me shtatë kandidatë demokratë
Ndonëse zyrtarisht emrat për kandidatë të Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës do të shpallen sot, është përmbyllur lista me 7 emrat që do të kandidojnë për zgjedhjet e 28 qershorit. Lista e kandidateve ka pësuar ndryshime rrënjësore duke iu referuar deputetëve aktual të kësaj force politike. Ministri i Arsimit Fatos Beja kryeson listën, i ndjekur nga deputeti tjetër i PD-së, Edi Paloka.
E treta në listë është Drejtoresha e ISKSH-së, në Lezhë Albina Gjini, nënkryetari i qarkut Gjovalin Gjeloshi renditet i katërti dhe menjëherë pas tij vjen drejtori i Karita-sit shqiptar Albert Nikolli, kryetari i Qarkut Lezhë, Bardh Rica dhe deputeti aktual i Mirditës, Gjovalin Prenga. Ashtu siç ishte përfolur edhe më parë në këtë listë, bie në sy mungesa e deputetëve të Lezhës, Gjok Vuksani dhe Preç Zogaj. Ndonëse për Vuksanin nuk dihet ende nëse ai do të jetë pjesë e kandidatëve të PD-së, për Preç Zogajn mësohet se bën pjesë në listën e kandidatëve për Tiranën. Në këtë mënyre Lezha mëson kandidatët e Partisë Demokratike, për qarkun dhe pret daljen e kundërshtarëve të tyre nga Partia Socialiste, e cila është treguar mjaft e rezervuar.