Vlorë, rritet fluksi i emigrantëve në port

Gjatë tre ditëve të fundit, në pikën kufitare të portit të Vlorës kanë kaluar mbi 4000 emigrantë, të cilët kthehen për të kaluar festat e fundvitit në vendlindje
Burime të kapitenerisë së këtij porti bënë të ditur se numri i emigrantëve që udhëtojnë me tragetet e linjës Brindisi-Vlorë, ka ardhur në rritje veçanërisht në fundjavë, kur mesatarja ditore ka arritur në më shumë se 1500 persona.
Për të përballuar fluksin që pritet të vijë në rritje në ditët në vazhdim, autoritetet portuale kanë marrë masa për shtimin e numrit të sporteleve dhe të personelit që shërben për kontrollin e dokumentacionit. Aktualisht, funksionojnë 8 sportele, ose më shumë se dyfishi i atyre në periudha normale, prej të cilave dy janë për automjetet.
Krahas kësaj, strukturat e policisë kufitare po aplikojnë masa të forta kontrolli për të parandaluar hyrjen e personave të kërkuar, që përpiqen të shfrytëzojnë situata të tilla të ngarkuara për të kaluar pa u identifikuar në pikën kufitare.