E Diel, 1 Nëntor 2026

Borë në Kukës, probleme në disa akse rrugore

Aktualisht aksi kryesor Morin-Kukës-Qafë Shllak është i kalueshëm, por në disa segmente ka grumbullime dëbore. Situata paraqitet e vështirë në komunat e Zapodit, Arrnit, Kalisit e Grykë Cajës, të izoluara që nga bora e disa ditëve 

KUKËS- Qarku i Kukësit është përfshirë sërish në orët e para të mëngjesit të sotëm nga reshjet e dëborës. Dëbora që ka nisur sot, pa u shkrirë ajo e fudjavës së kaluar, ka përkeqësuar situatën në disa akse rrugore.
"Trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit arrin në rreth 5 centimetra, ndërsa në zonat e thella mbi 20 centimetra", thotë përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në këtë qark, Azem Tema, sipas të cilit, aktualisht aksi kryesor rrugor Morin-Kukës-Qafë Shllak është i kalueshëm, por në disa segmente me zinxhirë, pasi ka grumbullime dëbore.
Borëpastrueset janë duke punuar për mbajtjen hapur të rrugëve, veçanërisht në kthesat e Kalimashit, Qafë Shtamës dhe Qafë Shllakut.
Sipas përgjegjësit të emergjencave, situata paraqitet më e vështirë në komunat e Zapodit, Arrnit, Kalisit e Grykë Cajës, të izoluara që nga dëbora e para disa ditëve. Ndërsa ende janë të kalueshme me vështirësi akset rrugore Kukës- Bushtricë dhe Kukës-Shishtavec.
Furnizimi me ushqime apo me medikamente të popullsisë së izoluar, thotë ai, po vazhdon normalisht.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›