E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, studentët në protestë: Jemi juristë, jo njohës ligjesh

Studentët e juridikut kanë kërcënuar me grevë urie në rast të një përgjigjeje negative nga rektorati


VLORË - Ankthi se do të kenë apo jo një diplomë të denjë për të përfaqësuar shkollimin e tyre universitar, i ka detyruar studentët e juridikut të enden prej disa ditësh dyerve të rektoratit në universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës.


Dje gjithçka ka përfunduar me një protestë, ku më tepër se 50 studentë janë futur gati forcërisht në ambientet ku ndodhet rektorati. Aty studentët kanë ngulmuar të takojnë zv.rektorin, pasi kanë mësuar se rektori ndodhet në Amerikë. Për protestën janë njoftuar edhe blutë, ku ka prej studentëve që pohojnë se janë nxjerrë prej tyre nga godina.


Ajo që studentëve u është komunikuar më pas nga zv.rektori i komanduar Eustrat Zhupa, ka qenë një përgjigje që do ta marrin në orët e mëngjesit të sotëm. Pasi prej ditësh nuk kanë marrë një sqarim të plotë, studentët që presin të marrin diplomën, kanë kërcënuar se sot do të futen në grevë urie.


"Nuk është e drejtë që katër vitet e sakrificave tona dhe të prindërve tanë për të na shkolluar në arsimin universitar të konvertohen me një titull "njohës ligjesh". Studentët e Tiranës që kanë bërë po të njëjtin program si ne, kanë në diplomë titullin "Jurist".


Ne nuk e dimë ende çfarë do të na japin, diplomë apo çertificatë", - thotë një student. "U bënë ceremonitë e diplomimit dhe ne nuk morëm asgjë, - pohon një tjetër student. - Rrezikojmë të marrim copa letre pa vlerë, kur ne kemi studiuar për katër vjet në degën e juridikut". Studentët thanë se janë të vendosur për të marrë atë çka u takon, ndërsa sot presin një përgjigje përfundimtare favorizuese, përndryshe do të futen në grevë urie.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›