E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, digjet gjatë natës një monument kulture

ZJARRET


GJIROKASTËR- Një banesë monument kulture e kategorisë së parë është shkrumbuar në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Ngjarja ndodhi në lagjen "Palorto" në qytetin e Gjirokastrës, në banesën e shtetasit Ylli Abazi e cila prej shumë vitesh ishte e braktisur.


Zjarri është shfaqur rreth orës 23:00, fillimisht në pjesën ballore të banesës dhe është përhapur me shpejtësi duke e djegur brenda një kohe të shkurtër shtëpinë, e cila ishte e vjetër dhe me konstrukt druri, ndërsa ka rrezikuar seriozisht edhe një sërë banesash që ndodheshin aty afër. Edhe pse tre automjete zjarrëfikëse, uniforma blu dhe banorë të lagjes kanë ndërhyrë thuajse menjëherë, ka qenë e pamundur që zjarri të shuhej.


Policia ndërkaq ka evakuuar një pjesë të mirë të personave që banonin në shtëpitë ngjitur, në mënyrë që të shmangte ndonjë tragjedi. Janë dashur plot 4 orë luftë me flakët, derisa zjarri të lokalizohej e më tej edhe të shuhej, duke shpëtuar edhe banesat ngjitur.


Ndërkaq, grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje në përfundim të hetimeve si dhe pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve okularë ka pohuar se shkaku i zjarrit ishte shkëndija elektrike, si pasojë e motit të keq, që bëri bashkimin e telave të elektrikut në pjesën ballore të banesës.

Shtëpia dykatëshe në pronësi të shtetasit Ylli Abazi, që momentalisht jeton në shtëpinë e të moshuarve prej më shumë se një dekade, ishte e braktisur, ndërsa për vlerat e mëdha arkitektonike ajo mbante statusin "Monument kulture" i kategorisë së parë. Për herë të dytë brenda një muaji, një shtëpi në zonën muzeale të Gjirokastrës përfshihet nga flakët. Në të dy rastet, shtëpitë kanë qenë të braktisura.

*********************************************************************

Flakët përfshijnë pyjet në Rrenc të Shkodrës


SHKODËR - Një sipërfaqe e konsiderueshme pyjore në pronësi të komunës Gur i Zi në Shkodër është përfshirë nga zjarri, duke rrezikuar dhe një fabrikë oksigjeni që ndodhej vetëm pak metra larg.


Ka qenë ora 14:10 kur banorë të fshatit Rrenc në komunën Gur i Zi kanë parë flakë në pyllin mbi ish-uzinën mekanike. Kanë qenë banorët ata që kanë ndërhyrë të parët për shuarjen e zjarrit me mjete rrethanore, ndërsa me shpejtësi kanë mbërritur dhe dy mjete zjarrfikëse. Të favorizuara dhe nga era flakët kanë përparuar duke përfshirë disa pemë pyjore e shkurre në drejtim të Shkodrës dhe kanë rrezikuar veçanërisht një fabrikë oksigjeni që ka shumë bombola dhe që ndodhet vetëm rreth 50 m larg flakëve.


Punonjësit e ndërmarrjes pyjore, ata të komunës, zjarrfikëset dhe komuniteti, rreth 40 vetë, janë përpjekur të shuajnë zjarrin duke bërë të mundur ndërprerje të pjesshme të tij për ta izoluar. Njëri prej banorëve që ndërhyri që në fillim për shuarjen e zjarrit, Mondi Tuniku, u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi pati probleme me frymëmarrjen. Ndonëse ai ka zbritur vetë nga kodra, më pas kaloi në gjendje të fikti dhe u dërgua me shpejtësi në spital. Pranë zjarrit ndodhen dhe parcela me vreshta dhe pak më larg disa shtëpi banimi.


Sipas kryetarit të komunës, Broz Marku, nuk mund të thuhet ende se sa është sipërfaqja e djegur pasi zjarri vazhdoi edhe 4-5 orë më vonë. Sipas banorëve, ka qenë një shkëndijë elektrike në kabllin e tensionit të lartë në kabinën pranë kodrës së Rrencit, i cili ka shkaktuar zjarrin. Energjia elektrike është ndërprerë dhe për të bërë të mundur përdorimin e pompave të ujit për shuarjen e zjarrit është përdorur një gjenerator.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›