E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, zhduket biznesmeni 39-vjeçar

Genci Habazaj është zhdukur në rrethana të paqarta emigranti: familjarët hedhin dyshime për rrëmbimin e tij


Emigranti pritej që të hënën të nisej për në Itali së bashku me të bijën e cila këtë ditë mbushte 9 vjeç


VLORË - Një 39-vjeçar, biznesmen në Itali, rezulton i humbur në rrethana misterioze, ndërsa alarmi është dhënë nga familjarë të tij. Genci Habazaj ka ndërprerë çdo lloj kontakti në orët e pasdites së të premtes dhe shqetësimi për rastin më të keq ka drejtuar të afërmit për ndihmë te strukturat e policisë së Vlorës. Prej 19 vjetësh emigrant në Itali, Habazaj ka ardhur në qytetin e tij, Vlorë, me pushime.


Ai kishte udhëtuar nga Italia drejt Vlorës me traget, dy javë më parë, së bashku me vajzën e tij 9-vjeçare, Irisin. Çdo gjë ka kaluar qetësisht për dy familjarët, por fundi i pushimeve nuk ka qenë aspak i tillë. 39-vjeçari kishte njoftuar se do të ikte pikërisht në 31 gusht, ditën kur vajza e tij kishte ditëlindjen, me qëllim për të festuar në Itali, ku ndodhet edhe e ëma e vajzës dhe vëllai i saj më i madh, por që prej së premtes pasdite ai nuk është parë më, duke humbur çdo kontakt.


Vëllai i madh i Gencit, Albert Habazaj, nuk e fsheh dot shqetësimin teksa flet për të vëllanë. "Ka lënë makinën, të gjitha dokumentet, dy telefonat që përdor në Itali dhe ka dalë vetëm për pak kohë, por nuk u kthye më. Kjo na bën të dyshojmë se mos ka ndodhur gjë". Ai pranon gjithashtu të tregojë hollësisht rreth ngjarjes:


"E kishim lënë që do të iknim familjarisht në Elbasan. Vëllait që është në Elbasan i kishte vdekur vjehrri dhe do të shkonim të gjithë. Genci do të merrte aty dhe vajzën e tij, e cila kishte mbërritur pak ditë më parë te xhaxhai.


Të premten pasdite Genci i thotë të emës se të nesërmen do të niseshin herët në mëngjes dhe ta priste tek i vëllai, Alberti, se për darkë do të ishin aty". Ky ka qenë komunikimi i fundit që 39-vjeçari ka pasur me familjarët, ndërkohë që nëpërmjet telefonit për herë të fundit ai kishte folur me kushëririn e vet rreth orës 19:00.


Duket se pritja ka qenë e gjatë në shtëpinë e të vëllait dhe ky i fundit ka provuar ta marrë në telefon, por përgjigja ka ardhur "thirrje e transferuar".
I njëjti sinjal që vinte edhe ditën e nesërme, ka bërë që familjarët të nisin interesimin, por çdo tentativë ka rezultuar e kotë. Shpresa e vetme ka mbetur vetëm policia, e cila ka nisur hetimet.


Siç tregon Alberti, i vëllai ka qenë paradite në plazhin e Radhimës. Më pas ai është parë nga një kushërirë e tyre me dy persona pranë rrethit në Skelë. Duke u interesuar, familjarët kanë mësuar se 39-vjeçari i kishte dhënë makinën një shokut të vet, me të cilin punonte në Itali.


Vonesa e zgjatur e tij i ka detyruar familjarët të pyesin edhe këtë të fundit, por nuk kanë mësuar dot më tepër mbi vendndodhjen e tij. Edisoni, një emigrant u ka pohuar se ka bërë një shkëmbim makine meqe mjeti i tij ishte i ulët dhe ka marrë NISAN-in e kolegut, të cilin e ka rikthyer pak orë më vonë.


"Nuk ka pasur asnjë konflikt- pohon Alberti. - Prej një viti ai jetonte i ndarë nga gruaja, por i kishin shuar mosmarrëveshjet. Edhe para dy muaj që na vdiq babai, ish-gruaja e Gencit erdhi. Po kështu ishte djalë i zoti dhe punëtor.


Me zotësinë e tij kishte ngritur edhe një minifirmë të vogël ndërtimi dhe punonte në Itali. Më bën të dyshoj se ka diçka, pasi Genci do të shkonte të merrte vajzën në Elbasan dhe do të ikte sot në Itali, për të festuar ditëlindjen e saj.


Ka lënë të parkuar makinën para pallatit në Ujë të Ftohtë. Ka lënë në shtëpi gjithë dokumentet dhe dy telefonat me numrat italianë. Dyshoj se mund të jetë edhe ndonjë kurth shoqëror, madje i kamufluar mirë. Ne nuk e dimë ku është dhe kemi kërkuar ndihmën e policisë.


Pritet zbardhja e tabulateve. Dhe jemi tani në ankth për fatin e të afërmit tonë. Ndoshta e kanë bërë dhe për para, pasi derisa ai ka një aktivitet, lekë mund të ketë... ndoshta... nuk e di. Ne nuk kemi përjashtuar dot asnjë lloj situate. Jemi në pritje të lajmit për të. Kemi lajmëruar gjithashtu ish-bashkëshorten, e cila vjen nesër".


Zyrtarisht policia e Vlorës nuk jep asnjë version. Mësohet se ka një denoncim, për të cilin po hetohet. Burimet bëjnë me dije se nuk ka ende pista të përcaktuara, duke mos pasur një klasifikim përfundimtar. Ndodhen përpara një rrëmbimi të mundshëm apo një largimi në kushte të paqarta.


Burimet bëjnë me dije se kanë nisur hetimet, pyetjet e të njohurve, kolegut që ka ndërruar makinën, janë mbledhur dëshmi nga të afërm dhe shokë që janë parë me të ditën e premte, ndërkohë që do të kryhen edhe procedurat verifikuese nëpërmjet telefonatave. Hetimi kryhet paralelisht në disa pista, për të cilat burimet janë të rezervuara.


39-vjeçari jetonte prej 19 vjetësh në Itali. Ai ka dy fëmijë, vajzën dhe djalin 14 vjeç dhe është i divorcuar. Firma që ai kishte ndërtuar ishte "HG Costruzioni".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›